Usyk mbetet kampion, mposht për herë të dytë Joshuan

Oleksandr Usyk e ka mposhtur për herë të dytë Anthony Joshuan, duke i mbrojtur kështu titujt e botës në peshën e rëndë në boks profesionist në versionet WBA, IBF, WBO dhe IBO.

Sikur në meçin e parë në Londër, edhe kësaj radhe lëvizjet dhe teknika e Usykut nuk gjetën përgjigje nga Joshua.

Meçi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Jeddah të Arabisë Saudite përfundoi me fitore me pikë për Usykun, me vendim të ndarë.

Derisa Joshua mbajti mesin e ringut dhe përqendrohej në goditje të fuqishme, kryesisht në trup. Usyk dha dukshëm më tepër goditje dhe lëvizte vazhdimisht nëpër ring.

Joshua rundin më të mirë e pati rundin e nëntë kur e vuri në vështirësi ukrainasin Usyk.

Mirëpo, në rundin e dhjetë Usyk u kundërpërgjigj dhe i dha goditje të shumta britanikut.

Për Usykun është fitorja e 20-të në boksin profesionist nga po aq meçe, ndërsa Joshua ka pësuar humbjen e tretë në karrierën si profesionist, karshi 24 fitoreve.

Joshua për revanshin me Usykun kishte ndërruar stafin e trajnerëve, por nuk arriti të përballonte ukrainasin. /Telegrafi/