Ushtrisë izraelite i kërkohet të ketë plan për palestinezët të cilët duan të largohen nga Gaza

Ministri izraelit i Mbrojtjes i ka thënë Ushtrisë që të përgatitë një plan që “të lejojë cilindo banor të Gazës që dëshiron të largohet” në pajtim me propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e territorit dhe të zhvendosen gjetiu 2.1 milionë palestinezët të cilët jetojnë në enklavë – raporton të enjten, më 06.02.2025, televizioni britanik BBC.

Israel Gatz ka thënë se banorët e Gazës “duhet të kenë lirinë e lëvizjes dhe migrimit” dhe se vendet që janë kritike ndaj luftës së Izraelit me “Hamasin” janë “të obliguara” që t’i vendosin në territoret e tyre.

Njëherësh, Sekretari Amerikan i Shtetit ka ngulmuar se zhvendosja do të ishte e përkohshme gjatë rindërtimit të Gazës, megjithëse Trump e ka paraqitur si të përhershme.

Liderët palestinezë dhe të shteteve arabe e kanë hedhur poshtë planin dhe kanë thënë se zhvendosja e dhunshme do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar gjithashtu se është “thelbësore që të shmanget çfarëdo spastrimi etnik” dhe ka theksuar se Gaza do të ishte pjesë integrale e shtetit të ardhshëm palestinez.

Ushtria izraelite kishte nisur një fushatë për shkatërrimin e “Hamasit” si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të pashembullt ndërkufitar të 7 tetorit 2023, ku rreth njëmijë e dyqind persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Më shumë se 47 mijë persona u vranë dhe mbi 111 mijë u plagosën në Gazë prej asaj dite – tregojnë të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, të drejtuar nga “Hamasi”.

Shumica e popullsisë së Gazës është zhvendosur disa herë dhe pothuajse 70% e objekteve janë shkatërruar ose dëmtuar.

Sistemet e kujdesit shëndetësor, sanitar, higjienik dhe ujit janë shkatërruar dhe ka mungesë të ushqimit, derivateve, ilaçeve dhe strehimit.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com