Foto nga Ministria e Mbrojtjes serbe

Ushtria Serbe Stërvitet Më Tepër me NATO-n Sesa me Rusinë

Serbia është përfshirë në 116 aktivitete të përbashkëta ushtarake me NATO-n dhe 90 aktivitete ushtarake bilaterale me Shtetet e Bashkuara, por me ushtrinë ruse ka kryer vetëm 17 stërvitje për vitin 2016, i tha ministria e mbrojtjes BIRN.

Eksperti ushtarak Aleksandër Radiç i tha BIRN se kjo është shumë e ditur në qarqet ushtarake, por mediat lokale janë më të interesuara të raportojnë mbi bashkëpunimin me forcat ruse.

“Media serbe shpesh e përdorin këtë për të fituar vëmendje. Ata bënë të njëjtën gjë me bisedimet rreth bazës ushtarake ruse [në qytetin jugor] Nis, gjë që nuk ishte e vërtetë… ajo nuk ishte një bazë ushtarake, por një qendër klasike humanitare pa qëllime ushtarake,” tha Radiç.

“Serbia ka dhjetë herë më tepër bashkëpunim me perëndimin se me Rusinë,” shtoi ai.

Ministria e mbrojtjes tha se pjesëmarrja e trupave ushtarake serbe në Lojërat Ndërkombëtare Ushtrake 2016 nga 30 korriku në 13 gusht në Rusi dhe blerja e dy helikopterëve Mi-17 ishin shembujt më të zakonshëm të bashkëpunimit me Moskën në vitin 2016.

Serbia shpalli një doktrinë neutraliteti ushtarak në dhjetor 2007 dhe qeveria aktuale ka njoftuar plane për të ndryshuar politikën.

Megjithatë, vendi është i lidhur me NATO-n përmes programit të Partneritetit të Aleancës për Paqe. Në mars 2015, Serbia kreu një Plan Veprimi të Partneritetit Individual me NATO-n, i konsideruar si niveli më i lartë i bashkëpunimit me NATO-n për një vend jo-anëtar.

Opinioni në lidhje me NATO-n ka qenë i ndarë thellësisht në Serbi që kur aleanca perëndimore filloi sulmet ajrore kundër ish-Jugosllavisë gjatë fushatës 78 ditore të bombardimeve në vitin 1999, që e detyroi Serbinë të tërhiqet nga Kosova. Kosova u vendos më pas nën administrimin ndërkombëtar dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Shumica e serbëve janë ende të zemëruar rreth humbjes së provincës, që e konsiderojnë “djep” të shtetit serb.

Sipas sondazheve të opinionit publik të kryera më herë këtë vit, 80 për qind e serbëve janë kundër anëtarësimit në NATO.

Një sondazh i kryer në shkurt nga kompania e kërkimit Ipsos Strategic Marketing gjithashtu sugjeroi se rreth dy e treta e atyre që iu përgjigjën sondazhit kishin sjellje më pozitive ndaj Rusisë sesa ndaj BE-së, SHBA-së apo NATO-s.