Ushtria ruse shkakton 'terror energjetik' në Ukrainë, dhjetë të vdekur në sulmet e fundit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i kërkoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të veprojë kundër Rusisë lidhur me sulmet ajrore në infrastrukturën civile që i kanë zhytur përsëri qytetet ukrainase në errësirë dhe të ftohtë me fillimin e dimrit. Rusia lëshoi një breshëri raketash anembanë Ukrainës të mërkurën, duke vrarë 10 njerëz, duke detyruar mbyllje të centraleve bërthamore dhe ndërprerje të furnizimit me ujë dhe energji elektrike në shumë vende.

Moldavia fqinje tha se po vuan nga ndërprerje masive të shkaktuara nga breshëria e raketave dhe presidentja e saj miqësore me BE-në, Maia Sandu, e akuzoi Rusinë se e ka lënë vendin e saj “në errësirë”.

Qeveritë e Bashkimit Evropian dështuan të arrijnë një marrëveshje të mërkurën mbi nivelin në të cilin t’i kufizojnë çmimet e naftës ruse nga deti sipas skemës së G7 dhe do t’i rifillojnë bisedimet, thanë diplomatët e BE-së. Më parë të enjten, përfaqësuesit e BE u takuan në Bruksel. Ky vendim është pjesë e sanksioneve që synojnë t’i ulin të ardhurat e Moskës nga eksportet e saj të naftës, në mënyrë që të ketë më pak para për ta financuar pushtimin e Ukrainës.

Të mërkurën, shefja e çështjeve politike të OKB-së, Rosemary DiCarlo i tha këshillit të sigurimit të OKB-së se një shkëmbim i 35 të burgosurve rusë dhe 36 ukrainas ishte një zhvillim pozitiv mes “lajmit të errët” të sulmeve ruse në Ukrainë. DiCarlo i inkurajoi palët që të vazhdojnë me lirimin e të burgosurve dhe ta ndjekin ligjin ndërkombëtar humanitar në lidhje me të burgosurit e luftës, raporton Reuters.

Një gjykatë ruse e zgjati të mërkurën me gjashtë muaj paraburgimin e politikanit të opozitës Ilya Yashin, i cili rrezikon të dënohet me 10 vjet burg për denoncimin e sulmit të presidentit Vladimir Putin ndaj Ukrainës. Këshilltari 39-vjeçar i qytetit të Moskës është në bankën e të akuzuarve si pjesë e një goditjeje të paprecedentë ndaj disidencës në Rusi, me shumicën e aktivistëve të opozitës ose në burg ose në mërgim. Ai përballet me 10 vjet burgim në rast se dënohet.

Moska zyrtare ka deklaruar se ka besim në “suksesin” e ofensivës së tij në Ukrainë të mërkurën. “E ardhmja dhe suksesi i operacionit special janë pa dyshim”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një vizite në Armeni, duke e përdorur termin zyrtar të Moskës për ta përshkruar sulmin e Rusisë, raporton Agence France-Presse.

Qyteteve evropiane iu kërkua të dërgonin gjeneratorë rezervë në Ukrainë për ta ndihmuar këtë vend gjatë dimrit përballë sulmeve të Rusisë ndaj infrastrukturës së energjisë elektrike. Rrjeti energjetik i Ukrainës u bombardua sërish pasi presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, nisi një apel për t’i dërguar gjeneratorët në Ukrainë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala