Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Ushtria italiane do ta ruajë një spital pas sulmeve ndaj mjekëve

Ushtria e Italisë do ta ruajë stafin mjekësor të një spital në rajonin jugor të Kalabrisë prej të hënës (16.09.2024), pas një serie sulmesh të dhunshme ndaj mjekëve dhe infermierëve prej pacientëve dhe të afërmve të zemëruar në mbarë Italinë, kanë raportuar mediat italiane.

Agjencia e lajmeve, AP, raporton se kryetari i qytetit, Paolo Giovanni Grieco, ka aprovuar një plan për të fuqizuar shërbimet mbikëqyrëse me përfshirje të ushtarëve në vendet e ndjeshme në qytezën kalabriane, Vibo Valentia, përfshirë spitalin, raportojnë mediat vendase.

Sulmet e fundit ndaj personelit mjekësor janë shpeshtuar veçanërisht në Italinë jugore, duke nxitur mjekët që të kërkojnë mbrojtje të nivelit kombëtar që të dërgohet ushtria për të siguruar stafin e shëndetësisë.

Pikë e kthese ishte një sulm në spitalin Policlinico në qytetin jugor Foggia në fillim të shtatorit. Një grup prej rreth 50 anëtarësh të farefisit dhe miqve të një gruaje 23-vjeçare, e cila vdiq gjatë një operimi emergjent, nxorën dufin dhe zemërimin duke përdorur dhunë dhe sulmuar stafin e spitalit.

Pamjet e kamerave, të cilat kanë qarkulluar me të madhe në mediat sociale, kanë treguar se si mjekët dhe infermierët ishin barrikaduar në një dhomë për t’i shpëtuar sulmit. Disa prej tyre ishin grushtuar dhe lënduar. Drejtori i spitalit ka kërcënuar me mbyllje të sallës së emergjencës menjëherë pas denoncimit të tri sulmeve të ngjashme brenda më pak se një jave.

Me më shumë se 16 mijë raste të raportuara të dhunës fizike dhe verbale në mbarë vendin vetëm më 2023, mjekët dhe infermierët italianë kanë kërkuar masa drastike.

“Ne kurrë më parë nuk kemi parë këso nivelesh agresioni në dekadën e kaluar”, ka deklaruar Antonio De Palme, kryetar i sindikatës të infermiereve dhe teknikëve, duke theksuar urgjencën për veprime. “Tani jemi në një pikë ku shqyrtimi i mbrojtjes ushtarake në spitale më nuk është ide e huaj. Më nuk mund të presim” – ka thënë ai.

Shoqatat Shkencore dhe Mjekësore të Federatës Italiane kanë propozuar gjithashtu masa më të ashpra për shkelësit e ligjit, si suspendimi i qasjes në kujdesin shëndetësor falas për tri vjet për këdo që sulmon punëtorët shëndetësorë ose dëmton qendrat spitalore.

Mungesa e stafit dhe listat e gjata të pritjes janë arsyet kryesore të frustrimit të pacientëve kundrejt punëtorëve shëndetësorë.

Sipas sindikatës më të madhe italiane të mjekëve, pothuajse gjysma e vendeve të punës në emergjenca ishin të lira më 2022. Mjekët thonë se legjislacioni italian nuk po i rrit pagat, duke i detyruar mjekët të punojnë me orare të zgjatura dhe të mbesin pa staf në spitale.

Këto probleme u ashpërsuan edhe më shumë prej pandemisë COVID-19, që i shtyri shumë mjekë të largoheshin nga Italia dhe të shfrytëzonin mundësitë më të mira jashtë vendit.

Në vitin 2023, Italisë kishte nevojë për rreth 30 mijë mjekë shtesë, dhe ndërmjet viteve 2010 dhe 2020, vendi mbylli 111 spitale dhe 113 salla emergjencash, tregojnë të dhënat e një forumi të specializuar.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com