Ushtria e Turqisë i jep 6 qenë, Gardës Kombëtare për Kërkim dhe Shpëtim e FSK-së

Njësitë e Kërkim-Shpëtimit K9, të Gardës Kombëtare të Kosovës, janë pajisur me 6 qenë të rijnë, si donacion nga Ushtria e Turqisë.

Ky lajm është bërë i ditur përmes një njoftimi në Facebook nga Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Njësia e Kërkim-Shpëtimit K9 e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka pranuar gjashtë qenë të specializuar për kërkim-shpëtim donacion nga Ushtria e Turqisë”, thuhet në njoftim.

Ky dorëzim-pranim është bërë në një ceremoni ku të pranishëm ishin komandanti i Gardës Kombëtare gjeneral brigade Xhevair Geci i cili shprehu mirënjohje për ndihmën.

“Donacioni i qeneve dhe trajnimi i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi, luajnë një rol të rëndësishëm dhe kontribuojnë në mbajtjen dhe ngritjen e kapaciteteve të Kërkim Shpëtimit, duke e bërë më të lehtë kryerjen e operacioneve”, tha Geci.

Po ashtu në komunikatë thuhet se pjesë e ceremonisë ishte edhe Atasheu ushtarak turk në Kosovë, Çagdash Akif Kahraman, i cili përgëzoi FSK-në për angazhim.

“Si forca të armatosura turke, dëshiroj të theksoj se ne do të vazhdojmë të jemi gjithmonë me juve, vëllezër kosovarë, në aktivitete të ndryshme trajnuese si dhe në fusha të tjera”, citohet të ketë thënë ai.