Protestat me kërkesën për dorëheqje të kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina, Pamje nga një video e AP-së

Ushtria e Bangladeshit refuzoi urdhrin që t’i vriste protestuesit

Një natë pasi tashmë ish-kryeministrja Sheikh Hasina, të arratisej papritmas nga Bangladeshi i mbërthyer në protesta të dhunshme, shefi i ushtrisë së saj kishte mbajtur një takim me gjeneralët e tij dhe kishte vendosur që trupa të mos qëllonin në drejtim të civilëve për të zbatuar orën policore, kanë konfirmuar për agjencinë e lajmeve Reuters, dy zyrtarë të lartë të ushtrisë së shtetit aziatik.

Gjenerali Vaker-Uz-Zaman pastaj do të merrte udhë drejt zyrës së Hasinas, për ta bindur kryeministren se ushtarët e tij nuk do të mund ta zbatonin urdhrin e saj, ka bërë të ditur një zyrtar i Indisë, i informuar me rrjedhat e fundit në rajon.

Mesazhi ishte i qartë, ka thënë zyrtari: Hasina më nuk e kishte mbështetjen e ushtrisë.

Detajet e takimit online të krerëve më të lartë të ushtrisë dhe mesazhi për Hasinan që nuk e gëzonte përkrhajen ushtarake, nuk janë raportuar më parë, shkruan Reuters.

Këto informacione ndihmojnë për të shpjeguar se si sundimi pesëmbëdhjetëvjeçar i Hasinas, gjatë të cilit kishte bllokuar çfarë pakënaqësie të vogël, mori papritmas fund të hënën dhe ajo u arratis nga Bangladeshi në Indi.

Ora policore mbarëkombëtare ishte vënë pas vrasjes të së paku 91 personave dhe qindra të tjerëve të plagosur në përleshjet e së dielës në mbarë vendin. Kjo ishte dita më e përgjakshme që kur protestat studentore nisën në fillim të korrikut kundër sistemit të kuotave në vendet publike të punës në qeverinë e Hasinas.

Zëdhënësi i ushtrisë, kolonel-lejtnant Sami Ud Dovla Chovdhury, ka konfirmuar diskutimet e së dielës mbrëma, të cilat i ka përshkruar si të rregullta për t’i përditësuar të dhënat e fundit lidhur me zhvillimet në vend. Ai nuk ka ofruar informacione se kur ishin vënë në dyshim vendimet e Hasinas.

Reuters nuk ka pasur mundësi të merrte qëndrimin e Hasinës dhe as të të birit dhe këshilltarit të saj, Sajeev Vazed.

Reuters ka folur me dhjetë persona të informuar me ngjarjet e javës së kaluar, përfshirë katër zyrtarë ushtrie dhe dy burime tjera të informuara në Bangladesh, për të krijuar një pasqyrë të qartë për diskutimet dhe zhvillimet prapa dyerve të mbyllura gjatë 48 orëve të fundit të regjimit të Hasinas. Shumë prej tyre kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes./REUTERS

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com