Një ndryshim i thellë gjeopolitik po ndodh tani

Ushtimat strategjike lidhur me marrëveshjen AUKUS do të jenë të zëshme dhe të gjata

Kohë pas kohe, mund t’i vëreni ndryshimet e mëdha gjeopolitike teksa ndodhin para syve tuaj. Rasti i kanalit të Suezit në vitin 1956, rasti kur Presidenti amerikan viziton Kinën në vitin 1972 dhe rënia e murit të Berlinit në vitin 1989 janë ndër shembujt më të mirë të kujtesës së gjallë. Zbulimi javën e kaluar i një pakti trepalësh të mbrojtjes midis Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara (e quajtur shkurtimisht AUKUS) po e siguron një tjetër nga ato raste të rralla.

AUKUS parashikon një gamë të gjerë bashkëpunimi diplomatik dhe teknologjik, nga siguria kibernetike deri tek inteligjenca artificiale, por në thelbin e saj është një marrëveshje për të filluar konsultimet për të ndihmuar Australinë të marrë një flotë nëndetësesh me motor bërthamor (edhe pse jo me armë bërthamore). Si pasojë e kësaj është që Australia e ka anuluar një kontratë, me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, të nënshkruar në vitin 2016 me Francën për nëndetëset me naftë-elektrike. Duke e bërë publike marrëveshjen AUKUS më 15 shtator 2021, nga kryeministrat e Australisë dhe Britanisë, Scott Morrison dhe Boris Johnson, Presidenti Joe Biden theksoi se kishte të bënte me “investimin në burimin tonë më të madh të forcës – aleancat tona”. Sidoqoftë, aleati më i vjetër i Amerikës, Franca, ka reaguar me një ashpërsi të kuptueshme. Jean-Yves Le Drian, ministri i saj i jashtëm, e quajti arritjen ë kësaj marrëveshje një “thikë në shpinë“. Më 17 shtator Presidenti Emmanuel Macron tërhoqi ambasadorët e Francës nga Uashingtoni dhe Canberra (por jo edhe nga Londra).

Ushtimat e fuqishme të marrëveshjes AUKUS tregojnë se çfarë ndryshimi të thellë përfaqëson ajo. Për Amerikën, është lëvizja më dramatike ende në vendosmërinë e saj për të kundërshtuar atë që ajo e sheh si kërcënimin në rritje nga Kina, veçanërisht sfidën detare që ajo paraqet në Paqësor. Jo vetëm që Amerika po ndan asetet e saja më të çmuara të teknologjisë ushtarake, impiantin shtytës për nëndetëset bërthamore, me një aleat për herë të dytë (hera e parë ishte 63 vjet më parë kur Amerika ndihmoi Marinën Mbretërore të bëhej fuqi bërthamore) por gjithashtu po sinjalizon fuqishëm angazhimin e saj afatgjatë për atë që e quan “një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”.

Shumë vende në rajon të cilat ndajnë ndjenjën e kërcënimit nga Kina e mirëpresin këtë marrëveshje. AUKUS tani do të sigurojë një sfond të fuqishëm për takimin e parë personal të udhëheqësve të QUAD-it – Australisë, Indisë dhe Japonisë-në Uashington, DC, më 24 shtator. Muajin e kaluar, mes një tërheqje kaotike nga Kabuli, u fol për mungesën e mbetjes së Amerikës në fuqi dhe humbjen e besimit midis aleatëve të saj. Me gjithë zemërimin në Paris, AUKUS e thotë të kundërtën. “Rëndësia më e madhe e kësaj është se Shtetet e Bashkuara po dyfishojnë aleatët e saj dhe aleatët e saj po dyfishojnë bastin e tyre në Shtetet e Bashkuara,” thotë Michael Fullilove nga Instituti Lowy, një institut shkencor  në Sidnei. “Fatkeqësisht, Franca është dëm kolateral.”

Në sytë e Australisë, zhvillimet që çuan në marrëveshjen AUKUS u bënë kryesisht në Kinë. Ishte presioni i madh që Kina ka ushtruar në Australi, shembulli më i mirë i kohëve të fundit ishte reagimi ndaj thirrjes së saj për një hetim të pavarur mbi origjinën e Covid-19. Prishja e kontratës së nëndetëseve me Francën ishte një veprim i guximshëm. Edhe pse marrëveshja me Naval Group, një kompani në të cilën shteti francez ka pjesën më të madhe të aksioneve, kishte hasur në vështirësi për shkak të përshkallëzimit të kostove dhe vonesave dhe kishte pak miq mes politikanëve ose mediave, megjithatë ishte një nga kontratat më të mëdha në histori të Australisë dhe mendohej gjerësisht se ishte shumë e madhe për t’u braktisur. Se qeveria e ka bërë këtë, pavarësisht nga perspektiva e dënimeve të mëdha, i reflekton që të dyja, edhe shkallën e bastit të saj për Amerikën si aleate e saj e po ashtu edhe joshjet e teknologjisë nëndetëse që do ti marrë: shumë më sekrete dhe me rreze shumë më të gjata se ato me naftë-elektrike.

Britania e Madhe mund të jetë më e rëndësishmja nga treshja e marrëveshjes AUKUS; sigurisht, roli i saj është i nënçmuar në vendimin francez për të mos e tërhequr ambasadorin e tij në Londër (ministri i jashtëm Le Drian e quajti Britaninë “rrota e tretë” në këtë marrëveshje). Edhe në këtë mënyrë, për kryeministrin Johnson, pakti ilustron rolin në ndryshim të vendit të tij në botë. Ajo përshtatet lehtësisht me përpjekjen pas BREX-IT për ta promovuar “Britaninë Globale” (tani e tutje për t’u mbrojtur energjikisht nga një sekretare e re e jashtme, Liz Truss). Dhe i jep kuptim “animit drejt Indo-Paqësorit” që u përqafua në një përmbledhje gjithëpërfshirëse të politikës së jashtme dhe mbrojtjes të publikuar në muajin mars.

Edhe për francezët, AUKUS nënkupton qartë atë që ata e shohin si realitet të thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht idenë se Evropës i duhet më shumë “autonomi strategjike” në mënyrë që të mos varet shumë nga Amerika. Sidoqoftë, reagimi i heshtur midis partnerëve evropianë të Francës hedh dyshime të njohura se sa serioze mund të jetë një autonomi e tillë. Pas publikimit të lajmeve mbi marrëveshjen AUKUS, një zyrtar gjerman bëri thirrje për “koherencë dhe unitet” midis fuqive perëndimore, për të cilat ai tha se do të kërkohej “shumë përpjekje” për t’i arritur. Franca ka arritur në përfundimin se do të luftojë për trajtim të drejtë përballë reflekseve të aleatëve anglofonë për t’u bërë bashkë (marrëveshja tripalëshe vjen në krye të aleancës së ndarjes së inteligjencës “Five Eyes” që përfshin të njëjtat tri vende plus Kanadanë dhe Zelandën e Re) Megjithatë, tërbimi francez, veçanërisht kundër Australisë, nxitet gjithashtu nga një ndjenjë personale e tradhtisë.

Kjo shkon përtej humbjes së një kontrate gjigante, aq e dhimbshme sa është. Franca ka një rol të madh në rajonin Indo-Paqësor, ku mban rreth 7,000 trupa dhe ka gati 2 milionë qytetarë, përfshirë territoret e saj ishullore si Kaledonia e Re dhe Polinezia Franceze. Ajo ka ndërtuar me ngulm atë që mendonte se ishte një marrëdhënie gjithnjë e më e ngushtë me Australinë. Deri më 30 gusht, komunikata nga konsultimet ministrore të nivelit të lartë australo-francez fliste për “forcën e partneritetit tonë strategjik” në shumë fusha dhe vinte në pah “rëndësinë e programit të nëndetëseve të së ardhmes”. Megjithatë, as në atë samit dhe as në shumë të tjerë gjatë muajve kur AUKUS ishte në proces, Francës nuk iu dha ndonjë njoftim lidhur me të. “Gjashtë muajt e fshehtësisë” ishte “një performancë e madhe”, thotë François Heisbourg, ekspert francez i politikës së jashtme i cili përmes grupit institutit të tij shkencor ishte përfshirë prej vitesh në kultivimin e lidhjeve me Australinë.

Pasojat në Francë janë një nga disa paralajmërimet për atë që përndryshe duket të jetë një grusht shteti strategjik për tre partnerët në AUKUS. Ideja e administratës amerikane për të punuar së bashku me aleatët për të kontrolluar Kinën ka kuptim. Por një ndarje e madhe me një aleat kryesor – një me interesa serioze Indo-Paqësorë- vështirë se ndihmon. Tani do të nevojiten përpjekje krijuese nga skuadra e AUKUS në përpjekje për ta zbutur sa më shumë dëmin.

E dyta, ka se çfarë thotë kjo për diplomacinë amerikane. Francezët ishin të shqetësuar, por trajtimi i tyre ishte i me pak konsideratë. Kjo bie në krye të listës së administratës Biden për tërheqjen e dobët nga Afganistani. Një shembull i paaftësisë së politikës së jashtme duket për të ardhur keq; dy shembuj kësisoj të njëpasnjëshëm e të shpejtë duken si një model. Ky nuk është një ogur i mirë për menaxhimin e marrëdhënieve me Kinën, e cila përfshin elemente të konkurrencës ushtarake, ekonomisë së lirë dhe bashkëpunimit, të themi, ndryshimit klimatik dhe kontrollit të armëve.

E treta, politika e jashtme amerikane është kritikuar shpesh, përfshirë edhe nga vetë presidenti Biden, për vendosjen e një theksi të madh në dimensionin ushtarak dhe jo të mjaftueshëm në diplomaci dhe mjete të tjera. Iniciativa bërthamore-nëndetëse është një lëvizje e madhe në frontin e mbrojtjes, por Kina është gjithnjë e më e fuqishme në rajon në frontet ekonomike dhe financiare. Kina iu përgjigj marrëveshjes AUKUS duke kritikuar “mentalitetin e saj të luftës së ftohtë”. Të nesërmen ajo aplikoi për t’u bashkuar me CPTPP (Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor), një pakt tregtar transpacifikues prej 11 vendesh të cilin Amerika ndihmoi ta nxiste si një mënyrë për të kufizuar ndikimin e Kinës, por më pas u braktis.

Nuk ka rregullim të shpejtë për gabimet e Amerikës në politikën ekonomike. Në të vërtetë, rivaliteti midis Kinës dhe Amerikës, së bashku me aleatët e saj, do të zhvillohet në shumë fusha përgjatë shumë viteve. Është sfida gjeopolitike përcaktuese e shekullit 21. Dhe tani në AUKUS, ajo ka fituar një pikë të re referimi.

Përktheu: Nuhi Shala