Ushtari UÇK-së dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Dëshmitari i pestë, i identifikuar me numër 3165 të enjten ka vijuar të japë dëshmi në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Hashim Thaçi dhe tre bashkëluftëtarët e tjerë Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin po akuzohen me krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dëshmitari i mbrojtur pretendon se më 24 korrik 1998 u bashkua me UÇK-në. Ai ka deklaruar se ka qepur uniformën e tij, duke mohuar ekzistencën e ndonjë letre ose kartele që tregon anëtarësinë e tij.

“Unë jam dalë në ora dy të natës atë natë. Të nesërmen i ka marrë shënimet komandanti kush ka qenë”- ka thënë dëshmitari.

Avokati: Nuk të dha ndonjë kartelë apo letër ku thuhej se ishe anëtar?

“Nuk më kanë dhënë”- konfirmoi dëshmitari i ZPS.

Dëshmitari i mbrojtur më tej ka treguar se kur iu bashkua UÇK-së armën e kishte marrë nga një bashkëfshatar.

“Armën e kisha marrë nga një bashkëfshatar”- shpjegoi dëshmitari.

Lidhur me këtë avokati kërkoi shpjegim se si ndodhi që ia dha armën e tij dhe e pyeti nëse personi vetë ishte në ushtri.

“Ishte lodhur e i mërzitur. Më tha që mundem me ia dhanë armën edhe e kam marrë”- tha tutje dëshmitari.

Dëshmitari ka pohuar se edhe uniformën e ka blerë vetë.

“E kam blerë vetë se nuk ka pasur. E kam blerë vetë si kamuflazh e kena paguar vetë… Blejshim copa edhe i qepshim”- ka thënë ai.

Avokati e pyeti dëshmitarin nëse dikush tjetër, që nuk ishte pjesë e UÇK-së, mund të blente copa dhe të bënte uniformën.

“Në rast se nuk ke pasur armë, ti s’ke pas nevojë as me ble as…Nuk mundem me thanë për askënd”- tha ai.

Avokati: Duke pasur parasysh faktin që ata që kyçeshin në UÇK nuk i jepej dokument, kjo tregon se çdo njeri mund të blente copë dhe ta bënte uniformën edhe pa qenë pjesë e UÇK-së?

“Nuk besoj që dikush ka blerë uniformë pa qenë i kyçur”- mohoi dëshmitari.

Dëshmitari gjatë dhenies së deklaratave deklaroi se i kishte ndjekur nga pas disa burra me uniforma të UÇK-së të ciltë sipas tij ia kishi marrë familjarët e tij.

“Pasi e kam marrë kerrin, kam marrë edhe armën edhe kam hyp në kerrin që i kanë marrë të afërmit e mi. Në dalje të fshatit i kanë zbrit dy të afërmit e mi nga makina, edhe babën e kishin lanë brenda në makinë….”., ka deklaruar ai.

Dëshmitari tutje deklaroi se Policia ishte rreth 8 kilometra larg dhe ishte nën kontroll të UÇK-së.

Dëshmitari thotë se i ndoqi prapa me armë burrat me uniforma të UÇK-së që ia kishin marrë familjarët

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit filloi më 3 prill 2023.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani,140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Rasportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.