Ushtarët nga Maqedonia e Veriut nisin misionin në KFOR

44 ushtarë të Maqedonisë të cilët janë pjesë e KFOR-it, do të jenë në Kosovë për gjashtë muajt e ardhshëm si oficerë shtabi në komandën kryesore të KFOR-it në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut me anë të një njoftimi ku ka dhënë edhe detaje të nisjes së ushtarëve drejt Kosovës.

“Me pjesëmarrjen në misionin KFOR në Kosovë, Maqedonia e Veriut zë pozitën në NATO si një vend që nënkupton paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me këtë rast është deklaruar edhe Ministria e Mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut, Radmilla Shekerinska Jankovska.

Sipas ministres Jankovska, ushtria maqedonase ka treguar cilësitë në shumë vende të largëta dhe se koha është që këto cilësi t’i tregojnë edhe në rajon.

“Ne kemi treguar se cilat janë cilësitë tona në vende shumë të largëta. Tani e tutje do të tregojmë vendin tonë të vërtetë në rajon. Anëtarësimi në NATO do të thotë siguri dhe stabilitet për ne, do të thotë siguri nën ombrellën kolektive të Aleancës, por e ndiejmë atë anëtarësim si një përgjegjësi të madhe. Më pak se 20 vjet më parë, vendi ynë përdori rastin për të pasur një mision të NATO-s për të pasur siguri dhe stabilitet. Sot, si një anëtar i NATO-s, ne mund të ndihmojmë që kjo të ndodhë me fqinjët tanë. Dhe kjo tregon se sa kemi shpenzuar së bashku, sa probleme kemi kapërcyer dhe sa jemi pjekur si njerëz dhe si shtet“, ka thënë ajo.

Pjesëmarrja e pjesëtarëve të Armatës në misionin e KFOR-it në Kosovë do të vazhdojë të rritet gjatë vitit 2021 – tashmë në rotacionin tjetër, plani është që të rritet numri i pjesëtarëve të KFOR-it në mbi 60 anëtarë, dhe nga vera e ardhshme së bashku me partnerin e Maqedonisë, Gardën Kombëtare të Vermontit nga SHBA, jashtë rotacioneve të vendosura, kontributi në një periudhë prej 9 muajsh do të rritet me mbi 100 pjesëtarë të Armatës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Maqedoni, gjithsej rreth 180 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Armatës së Maqedonisë së Veriut do të marrin pjesë në misionin e KFOR verën e ardhshme.