Ushtarët nga Maqedonia e Veriut do të bëjnë sigurimin e Manastirit të Deçanit

Sot, misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR, mirëpriti kontingjentin e 27-të nga Maqedonia e Veriut. 44 trupa nga kazermat “Kuzman Josifovski – Pitu” në Tetovë, të udhëhequr nga kapiteni Hristijan Dimchevski, do të shërbejnë në Komandën Rajonale të KFOR-it Perëndim me qendër në Pejë.

Sipas njoftimit të NATO-s, ata do të kontribuojnë në misionin e përgjithshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Tutje në njoftim thuhet se ‘detyrat e tyre do të përfshijnë patrullimin, sigurimin e Manastirit të Deçanit dhe ruajtjen e kampit ‘Villaggio Italia’ së bashku me kolegët e tyre italianë dhe moldavë’.

Elementë të tjerë të kontigjentit do të punojnë si oficerë të shtabit në Shtabin qendror të KFOR-it në Prishtinë..

Flamuri i Maqedonisë së Veriut u ngrit sot në një ceremoni të mbajtur në Shtabin e Komandës Rajonale Perëndim, në të cilën mori pjesë Komandanti i Forcës së Kosovës, Gjeneral majori Michele Risi.

“Gjenerali Risi u tha trupave të sapo vendosura se “përpjekja e tyre do të ndihmojë në rritjen e lidhjeve dhe forcimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe 26 kombeve të tjera që aktualisht shërbejnë me misionin e udhëhequr nga NATO, KFOR”, thuhet nw komunikatë.

Sipas komunikatës, kontributi i pjesëtarëve të Ushtrisë në misionin e KFOR-it në Kosovë do të vazhdojë të rritet gjatë vitit 2021. Tashmë në rotacionin e gjashtë muajve të ardhshëm, plani është që të rritet numri i trupave të ofruara në mbi 60.