
Foto: NATO, Facebook
Ushtarët letonezë dhe italianë patrullojnë në Zubin Potok
Ushtarët letonezë dhe italianë të KFOR-it, kanë patrulluar sot, më 16.02.2025, në Zubin Potok.
KFOR-i thotë se këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Më 29 nëntor 2024 u krye një sulm terrorist në kanalin e Ibër- Lepencitit në Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast një pjesë e Kosovës mbeti pa ujë për disa ditë me radhë.
Ky sulm vendit i kushtoi mbi 400 mijë euro riparim.
Kryeministri Albin Kurti e ka drejtuar gishtin nga Serbia qysh në natën kur ndodhi sulmi, duke thënë se ky shtet është duke i përdorur metodat që aplikon Rusia në luftën e saj në Ukrainë.
Shpërthimi në kanalin prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentrale u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas Policisë së Kosovës. Ky sulm u cilësua si më i rëndi në infrastrukturën kritike apo vitale të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.