Ushtarët e rraskapitur të Ukrainës në pritje të Trumpit
Atmosfera është e zymtë. Madje ka edhe zemërim.
“Situata po përkeqësohet çdo ditë”.
“Ne nuk po e shohim qëllimin. Toka jonë nuk është kjo”.
Pothuajse katër muaj pasi trupat ukrainase nisën ofensivën e rrufeshme në rajonin rus të Kurskut, mesazhet me tekst nga ushtarët që luftojnë atje pasqyrojnë një pamje të zymtë të një beteje që ata nuk e kuptojnë siç duhet dhe kanë frikë se mund të humbasin.
BBC-ja ka qenë në kontakt nëpërmjet Telegramit me disa ushtarë që shërbejnë në Kursk, njëri prej të cilëve është larguar së fundmi. Televizioni britanik ka rënë dakord të mos identifikojë asnjë prej tyre.
Asnjë nga emrat në këtë artikull nuk është i vërtetë.
Ata flasin për kushte të vështira të motit dhe mungesë kronike të gjumit të shkaktuar nga bombardimet e vazhdueshme të Rusisë, të cilat përfshijnë përdorimin e bombave kasetore të tmerrshme prej tre mijë kilogramësh.
Ata gjithashtu po tërhiqen derisa forcat ruse gradualisht po rimarrin territorin.
“Kjo tendencë do të vazhdojë”, shkroi Pavlo më 26 nëntor. “Është vetëm çështje kohe”.
Pavlo thotë se ka lodhje të madhe, mungesë rotacioni dhe njësish, të përbëra kryesisht nga burra të moshës së mesme, të sjellë direkt nga frontet e tjera me pak ose aspak kohë për të pushuar.
Të dëgjosh ushtarët të ankohen – për oficerët e tyre komandues, urdhrat dhe mungesën e pajisjeve – nuk është e pazakontë. Kjo është çfarë ushtarët bëjnë shpesh në rrethana të vështira.
Nën presionin e jashtëzakonshëm të armikut dhe me fillimin e dimrit, do të ishte befasuese të dëgjoje më shumë optimizëm.
Por mesazhet që ka marrë BBC janë pothuajse njëlloj të zymta, duke sugjeruar se motivimi është problem.
Disa pyetën nëse një nga qëllimet fillestare të operacionit – për të devijuar ushtarët rusë nga fronti lindor i Ukrainës – kishte funksionuar.
Urdhrat tani, thanë ata, ishin që të vareshin nga kjo copëz e vogël e territorit rus derisa presidenti i ri amerikan me politika të reja ta marrë timonin e Shtëpisë së Bardhë në fund të janarit.
“Detyra kryesore me të cilën përballemi është të mbajmë territorin maksimal deri në inaugurimin e Trumpit dhe fillimin e negociatave”, ka theksuar Pavlo. “Për ta ndërruar me diçka më vonë. Askush nuk e di se çfarë”.
Në fund të nëntorit, presidenti Volodymyr Zelensky tregoi se të dyja palët kishin parasysh ndryshimin e administratës amerikane.
“Jam i sigurt se ai (Putini) dëshiron të na largojë deri më 20 janar”, ka theksuar ai. “Është shumë e rëndësishme që ai të tregojë se e kontrollon situatën. Por ai nuk e kontrollon situatën”.
Në një përpjekje për të ndihmuar Ukrainën të pengojë kundërsulmet ruse në Kursk, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca kanë lejuar Kievin të përdorë armët me rreze të gjatë ndaj objektivave brenda Rusisë.
Nuk duket se kjo ka bërë shumë për ta ngritur moralin në front.
“Askush nuk ulet në një llogore të ftohtë dhe nuk lutet për raketa”, ka theksuar Pavlo.
“Ne jetojmë dhe luftojmë këtu, dhe tani. Dhe raketat fluturojnë diku tjetër”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com