Arkiv - Ilustrim
Ushtarët e militantët po dhunojnë edhe vajza 9-vjeçare në Sudan
Persona të armatosur të një milicie të njohur kanë vërshuar kryeqytetin e Sudanin, duke dhunuar në grupe gra e vajza “të panumërta”, me disa syresh në moshën nëntëvjeçare, thuhet në një hulumtim që ka dokumentuar prevalencën tronditëse të dhunës seksuale në Khartoum gjatë luftës civile, ka raportuar gazeta britanike, “The Guardian”.
Disa prej sulmeve të pjesëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) ishin aq brutale saqë gratë dhe vajzat vdiqën “për shkak të dhunës së lidhur me aktin e dhunimit”, thuhet në hulumtimin e organizatës “Human Rights Watch” (HRW).
Dëshmitë nga gratë dhe vajzat në rrethinat e Khartoumit, të kontrolluara nga RSF-ja, tregojnë se shumë prej tyre ishin rrëmbyer, torturuar dhe burgosur si skllave seksi. Nënat u dhunuan derisa po mundoheshin t’i mbronin të bijat. Disa vajza u thanë luftëtarëve të RSF-së se ishin të martuara dhe se nuk ishin të virgjëra në përpjekje që të mos sulmoheshin, shtohet në raport.
“RSF-ja ka dhunuar, edhe me grupe bandash dhe i ka detyruar të martoheshin gra dhe vajza të panumërta në zonat e banueshme në kryeqytetin e Sudanit”, ka thënë Laetitia Bader, drejtoreshë e HRW-së për Bririn e Afrikës.
Menjëherë pas shpërthimit të luftës civile ndërmjet RSF-së dhe Ushtrisë sudaneze pesëmbëdhjetë muaj më parë, RSF-ja mori kontrollonin e disa pjesëve të Khartoumit dhe qyteteve përreth, Omdurman dhe Khartoumin Verior.
Prej atëherë është vështirësuar qasja në qytet për shkak të luftimeve, por hulumtuesit e HRW-së i kanë intervistuar 42 ofrues kujdesi, punëtorë socialë, avokatë dhe vullnetarë emergjencash në Kharthoum për të dokumentuar sesi u trajtuan vajzat dhe gratë.
Janë dokumentuar rastet e së paku 262 të mbijetuarave të dhunës seksuale, prej 9 deri në 60 vjet.
Me thikë nën jastëk
Në shumë raste, edhe vetë vullnetaret e emergjencave ishin dhunuar prej luftëtarëve të RSF-së derisa po mundoheshin të ndihmonin të mbijetuarat e dhunës seksuale, shkruan raporti.
Kolektivisht, dëshmitë tregojnë për ekzistencën e tmerrshme të rasteve të vajzave dhe grave të dhunuara në kryeqytetin sudanez. Një grua 20-vjeçare ka thënë për hulumtuesit: “Kam fjetur me thikë nën jastëk për muaj me radhë nga frika e bastisjeve që çonin në dhunime prej RSF-së”.
“Më nuk është vend i sigurt për gratë që të jetojnë në Khartoum nën RSF-në”, ka shtuar ajo, raporton britanikja “The Guardian”.
Një grua e moshës së mesme në Khartoum u ka treguar hulumtuesve për ankthin e përhershëm me të cilin përballeshin gratë. “Gjatë gjithë kohës jemi të frikësuar prej bastisjeve të RSF-së në shtëpitë tona. Nuk po mund të flemë prej frikës. Përditë, ka një aksion të bastisjes në ndonjë shtëpim, ata mundohen t’i dhunojnë gratë”.
Së paku katër gra dhe vajza kanë vdekur si pasojë e lëndimeve të shkaktuara gjatë dhunimit, përderisa shumë të tjera kanë kërkuar trajtim spitalor, thuhet në raport. Një vajzë tinejxherë u qëllua në kofshë pasi u dhunua prej grupi të ushtarëve të RSF-së dhe vdiq në spital prej “gjakderdhjes së madhe të shkaktuar prej plumbave”.
Thirrjet për ndihmë
Bader u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Unionit Afrikan që të dërgojnë një forcë mbrojtëse civile për të parandaluar krimet e mëtejshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
Raporti akuzon edhe ushtarët që i përkasin Forcave të Armatosura Sudaneze(SAF) për dhunë seksuale kundër grave në Khartoum. Megjithëse më pak raste dhunimi janë raportuar për ushtrinë shtetërore, hulumtuesit kanë dokumentuar ngritje të rasteve pasi SAF-i mori kontrollin Omdurmanit në fillim të vitit. Janë dhunuar edhe burrat dhe gratë, përfshirë burgosjen, thuhet në raport.
HRW-ja thotë se dy palët u kanë bllokuar të mbijetuarve qasjen në qendra të kujdesit emergjent dhe se i kanë sulmuar punëtorët e kujdesit shëndetësor, që përbën krim lufte.
Në raport thuhet se SAF-i “me vullnet po kufizonte furnizimet humanitare”, përfshirë medikamentet mjekësore, duke imponuar de fakto një bllokadë për ndihmat që hyjnë në rajonet e kontrolluara nga RSF-ja në Khartoum prej tetorit.
Asnjëra palë, shtohet në raport, “nuk ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm” për t’i parandaluar forcat e veta që të ndalin dhunimet ose sulmet ndaj punëtorëve shëndetësorë, ose edhe t’i hetojnë dhe t’i zbardhin në mënyrë të pavarur krimet e kryera prej forcave të tyre.
Ushtria i mohon akuzat
Sidoqoftë, në një deklaratë nga Babikir Elamin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme sudaneze, janë kontestuar të dhënat e faktuara të raportit, duke shtuar se “sa u përket Forcave të Armatosura Sudaneze, ky raport përmban akuza të pabazuara që qartazi se asnjëherë nuk janë ekzaminuar prej disa burimeve ose për të cilat nuk është pyetur fare SAF-i”.
“Ne kategorikisht mohojmë sugjerimin shpifës të autores së raportit se SAF-i ose Qeveria e Sudanit kanë kryer ndonjëherë dhunë seksuale”, ka thënë ai. “Gjithashtu, nuk ka asnjë të vërtetë në lidhje me akuzat se SAF-i po shënjestron ofruesit e kujdesit shëndetësor. Raporti nuk ofron asnjë dëshmi për t’i provuar akuzat. Aktualisht, spitalet dhe qendrat shëndetësore funksionale në rrethinë, të kontrolluara nga SAF-i, mbrohen prej SAF-it, përfshirë edhe 400 prej 540 spitaleve qeveritare”.
“Krejt ndryshe prej pretendimeve në raport se SAF-i bllokon dërgimin e furnizimeve mjekësore, është SAF-i ai që i mbron dhe shpesh i kryen dërgesat e këtyre furnbizimeve, përfshirë edhe lëshimin nga ajri”.
Dhunime në grup
Një numër dëshmish të dhëna prej të mbijetuarave kanë treguar se ishin dhunuar prej pesë luftëtarëve të RSF-së.
RSF-ja gjithashtu “rrëmbente rregullisht” gra dhe vajza dhe i mbyllte në shtëpi, thuhet në raport. Disa gra shin mbajtur të mbyllura për javë të tëra. Shumë prej tyre ishin rrahur, torturuar dhe u ishte mohuar qasja në ushqim në kushte që sipas hulumtuesve përbënin skllavëri seksuale.
“Dy vajza, motra, të cilat i kemi mbështetur më kanë thënë se RSF-ja i dhunonte ato dhe gratë tjera në shtëpi përditë gjatë tri ditëve sa i mbajtën të mbyllura”, ka thënë njëra prej hulumtuesve që ka ofruar të dhëna për raportin e HRW-së.
Ajo kishte thënë se motrat u mbajtën në një shtëpi të madhe, bashkë me një numër të madh grash dhe vajzash tjera nga Sudanin Jugor dhe Etiopia. “Ato përshkruanin si ishin rrahur, lënë pa ushqim dhe detyruar të lanin rrobat e forcave përditë”, thekson raporti, cituar nga “The Guardian”.
Profesionistët e intervistuar shëndetësorë kanë thënë se ishin “tronditur” prej shënjestrimit të vajzave të reja.
Shtatzënitë e dhunshme
Së paku tri vajza të moshës pesëmbëdhjetëvjeçare mbetën shtatzënë si pasojë e dhunimeve nga luftëtarët e RSF-së dhe në një rast prej dhunimit prej një ushtari të Ushtrisë sudaneze në Karthoumin Verior, dokumentohet në raport.
RSF-ja i ka shkruar javën e kaluar HRW-së për t’i hedhur poshtë pretendimet se kishte uzurpuar ndonjë spital ose qendër mjekësor në Khartoum, por nuk ka ofruar asnjë dëshmi se kishte kryer hetime pas ngritjes së akuzave për dhunë seksuale prej forcave të saj.
Elamin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, ka shtuar: “SAF-i është ushtri e vjetër kombëtare, pothuajse njëqindvjeçare, lidershipi dhe gradat e së cilës kanë disiplinë të lartë, profesionale dhe në përputhje me të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe sipas normave dhe rregullave më të mira ushtarake”.
“Mbrojtja e civilëve, sidomos e grave dhe fëmijëve, është i pari prej prioriteteve të SAF-it dhe Qeverisë së Sudanit”, ka thënë ai për “The Guardian”. Ai i është referuar referencës së raportit për “palët ndërluftuese” si “të padrejtë dhe dashakeq”.
Ai ka thënë se ushtria nuk mund të krahasohet me një “milici të mbështetur nga jashtë, të përbërë thelbësisht prej mercenarëve që përdorin të njëjtat taktika dhe brutalitet të përdorur prej ISIS-i(Shteti Islamik)”./TheGuardian