Armend Mehaj dhe Liburn Aliu/ Facebook

Ushtarët e FSK-së lirohen edhe nga pagesa në transportin hekurudhor

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë liruar nga pagesa në transportin publik hekurudhor gjatë udhëtimit me uniformë.

Kjo është bërë e mundur përmes memorandumit të nënshkruar mes ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Krahas çështjeve në fusha tjera, MMPHI, përmes këtij memorandumi është vendosur për lirimin e ushtarakëve të FSK-së nga pagesa e shërbimeve të transporti publik hekurudhor gjatë udhëtimit me uniformë”, thuhet në njoftim.

Ky memorandum ka për qëllim mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për Ministrinë e Mbrojtjes edhe në fushat e veçanta, krahas mbështetjes së ndërsjellë.

Tutje, Ministria e Mbrojtjes ka shkruar se pas marrëveshjes me kryetarin e Prishtinës për lirimin e ushtarakëve nga pagesa e transportit publik urban, brenda një jave, realizoi edhe këtë marrëveshje e cila sipas tyre ndikon në mirëqenien ekonomike të ushtarëve të FSK-së.

“Krahas objektivave tjerë, ministri Mehaj, ka vendosur me prioritet mbi prioritete, përkujdesjen dhe mirëqenien ekonomike me fokus në rritjen e pagave për ushtarakët e FSK-së, me fokus, ushtarët dhe nënoficerët, zotim i cili do realizohet në të ardhmen e afërt”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.