Ushtarët e FSK-së kthehen nga misioni i parë paqeraujtës në Kuvajt - Foto

Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës sot është kthyer nga misioni parë paqeruajtës në Kuvajt krahë ushtrisë amerikane.

FSK përmes një njoftimi bëri të ditur se Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjeneral major Enver Cikaqi së bashku me shefin e departamentit të Operativës të Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Ejup Maqedonci kanë pritur në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ekipin e FSK-së.

Në fjalën e tij drejtuar pjesëtarëve, gjenerali Cikaqi i përgëzoj pjesëtarët e FSK-së për gatishmërinë dhe u shpreh mjaft krenar për shërbimin që kanë bërë gjatë kësaj periudhë.

“Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj, e kuptoj që ka qenë mjaft sfiduese për ju, por ju duhet të ndiheni krenar siç ndihemi edhe ne për ju, pasi ju u bëtë pjesë e historisë së vendit tonë dhe tani për misionet e radhës do jenë shumë më të lehta pasi do mësojmë nga eksperienca dhe vështirësitë në të cilat ju keni kaluar”, ka thënë ai.

Përveç kolegëve të FSK – së në aeroport kishin dalë edhe familjarë të shumtë të pjesëtarëve të cilët sa ishin krenar po aq ishin edhe të emocionuar për takimin e tyre pas disa muajsh.