Foto: KFOR

Ushtarët amerikanë patrullojnë në veri të Kosovës

Ushtarët amerikanë – pjesë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO, KFOR, kryen patrullime të sigurisë në veri të Kosovës, si pjesë e operacioneve për të ofruar sigurinë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në mbarë Kosovën.

Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi nga KFOR.

“Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të mbështetur të gjitha komunitetet brenda Kosovës”- thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim potencohet se KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.

“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin- bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”- thekson më tej KFOR në njoftim.