Ilustrim

USAID nuk e mbështet tarifën nxitëse të miratuar nga ZRrE

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse.

Tashmë sipas vendimit të ri të Rregullatorit janë caqe prej 20 megavatëve që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me një çmim prej 85.5 euro për megavat.

USAID ka shprehur qëndrimet e saj në lidhje me trajtimin e 20 MW shtesë solare, me anë të një shkrese dërguar Rregullatorit më 23 maj 2019.

USAID ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme ndaj Rregullatorit, për të krijuar dhe zbatuar kornizë ligjore dhe rregullative të qëndrueshme dhe të parashikueshme, duke konsideruar si parakusht për investime në sektorin e energjisë në Kosovë.

Në këtë qëndrim USAID kishte theksuar se nuk mbështet Tarifën nxitëse të propozuar për 20MW shtesë dhe nuk mbështet asnjë skemë të tarifës nxitëse për kapacitete të cilat janë jashtë cakut obligativ prej 25%.

USAID gjithashtu shpjegon që caqet obligative për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, ndër tjera, janë vendosur duke marrë në konsideratë potencialet e vendeve respektive dhe mundësinë e subvencionimit në mënyrë të qëndrueshme.

Në qëndrimin e tyre, ata kanë paraqitur shqetësimin se Tarifa nxitëse e propozuar për kapacitet shtesë Solare fotovoltaike nga Rregullatori, nuk adreson në mënyrë të duhur paqartësinë dhe pasigurinë në politikat shtetërore të krijuara nga Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, as nuk adreson në mënyrë të sinqertë ndikimin e caqeve vullnetare në çmimet e konsumatorëve fundor të energjisë elektrik.

USAID i kishte rekomanduar ZRrE-së, që të inicioj konsultime shtesë me të gjitha palët, për të aplikuar mekanizma të bazuar në treg, të cilat kanë dëshmuar të jenë shumë efektive dhe kanë ulur koston e konsumatorëve për skemat mbështetëse.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e kompanive që do të përfitojnë nga vendimi i ZRrE-së që të rritet kapaciteti i energjisë solare që do të kenë çmime të garantuar janë edhe “Devolli Group”. Kjo kompani është në mesin e aplikantëve që kanë marrë autorizime preliminare dhe që janë në listën e pritjes me kapacitete prej 3 megavatëve.

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parku energjetik i Devollëve është në “Madanaj, ZK Kusar, Komuna e Gjakovës”. Në të njëjtin lokacion autorizim preliminar për ndërtim të parkut për energji solare ka marrë edhe “VITA ENERGY”. Edhe kjo kompani do të përfitojë nga vendimi i ZRrE-së për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit prej 3 megavatëve.

Përifitues tjetër është kompania “VBS” Sh.p.K me 3 megavat. Edhe kjo kompani e ka të njëjtin lokacion për ndërtimin e parkut solar, pra në Madanaj të Komunës së Gjakovës.

Rritja e sasisë së energjisë solare që do të përfitojë tarifa nxitëse +20 megavat, me çmim 85.5 euro për megavat për orë është miratuar me tri vota për dhe një kundër në mbledhjen e Bordit të ZRrE-së më 27 nëntor. Kjo skemë mbështetëse nuk kishte kaluar në mbledhjen e 14 tetorit, kur dy anëtarë të bordit kishin votuar për dhe dy kundër.

Anëtarët e Bordit, Selman Hoti, Izet Rushiti dhe Besim Sejfijaj kanë votuar për ndërsa u.d i kryetari të Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova ka votuar kundër. Janova ka thënë se nuk është kundër çmimit por është kundër kësaj skeme mbështetëse.

Kjo pikë ka hyrë në rend të ditës me propozim të anëtarit Izet Rushiti dhe votim të Bordit të ZRrE-së.

Propozimin që çmimi për megavat për orë të jetë 85.5 euro e ka dhënë anëtari i Bordit, Selman Hoti.

Kjo ka qenë mbledhja e dytë kur skema mbështetëse ishte hedhur në votim. Kjo skemë mbështetëse ishte hedhur në votim edhe në mbledhjen e 14 tetorit por nuk kishte kaluar. Në atë mbledhje, skema nuk kishte kaluar për shkak se kanë qenë dy vota për dhe dy kundër.

U.d kryetari i bordit të ZrE-së, Arsim Janova dhe anëtari Besim Sejfijaj kishin votuar kundër ndërsa dy anëtarët e tjerë të bordit, Izet Rushiti dhe Selman Hoti kishin votuar për.

Janova edhe në këtë mbledhje ishte kundër, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë sikur në mbledhjen e 10 korrikut, ku kishte lexuar qëndrimet kundër të Ambasadës gjermane, INDEP-it, MZhE-së, konkluzionet e Këshillit të Ministrave etj.

Më tej, duke argumentuar votën kundër, Janova kishte thënë se rritja e sasisë në +20 megavat është jashtë caqeve.

Për shkak se kishte votim të barabartë votimi për këtë skemë ishte shtyrë për një mbledhje tjetër të bordit të ZRrE-së.

KALLXO.com raportoi dje që Lëvizja Vetëvendosje kishte ngritur padi në lidhje me vendimin e 27 nëntorit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas LVV-së, vendimi i marrë më 27 nëntor nga Bordi i ZRRE-së, për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkikë.

Kundër këtij vendimi kishin dalë edhe Ambasada gjermane në Kosovë, Zyra e BE-së në Kosovë.

Vendimi i ZRRE-së që favorizon Devollët