Ursula von der Leyen: U ndjeva e lënduar pasi u lash pa karrige në Turqi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se është ndier e lënduar pasi u la pa karrige nga dy liderë meshkuj në një samit në Turqi më herët gjatë këtij muaji.

Ajo para Parlamentit Evropian tha se priste të trajtohej si presidente e Komisionit Evropian.

“Unë jam gruaja e parë si presidente e Komisionit Evropian dhe kjo është mënyra si prisja të trajtohesha kur vizitova Turqinë dy javë më parë, si kryetare e Komisionit, por nuk ndodhi kështu. Nuk mund të gjejë ndonjë justifikim për mënyrën si jam trajtuar, kështu mu desh të vija në konkludimin se kjo më ndodhi për shkak që jam grua. Unë u ndjeva e lënduar dhe e vetmuar, si një grua dhe si evropiane”, tha Ursula von der Leyen.

Ajo shtoi se ndoshta po të vishte kostum me kollare nuk do trajtohej ashtu, duke shtuar se në takimet e mëparshme ku nuk ka pasur gra, nuk kishte mungesë karrigesh.

“A do kishte ndodhur kjo nëse unë do vishja një kostum dhe kollare, në fotografitë e takimeve të mëparshme nuk kam parë ndonjë mungesë karrigesh, por edhe nuk pashë ndonjë grua në këto foto. Shumë prej jush mund të keni pasur eksperienca të tilla në të kaluarën, sidomos anëtaret femra. Jam e sigurt se ju e dini si jam ndier”, shtoi Leyen.

Ursula von der Leyen dhe shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, u takuan me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan më 6 prill. Mysafirët u çuan në një dhomë të madhe për bisedime, por atje ishin vendosur vetëm dy karrige për tre udhëheqësit. Atje u ulën dy burrat, ndërsa Ursula von der Leyen u ul në një divan të madh, larg homologëve të saj meshkuj. CNN

Përktheu: Ardita Zeqiri