Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Ursula von der Leyen, për marrëveshjen për targat: E mirë për gjithë rajonin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes në Bruksel për targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mirëpres ngrohtësisht marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës. Ky është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti”, ka shkruar ajo në Twitter.

Sipas saj kjo marrëveshje është e mirë për të gjithë rajonin duke theksuar se ‘dialogu tani duhet të vazhdojë’.

Sot në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për targat e automjeteve.

-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

-Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

-Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.