Foto: KALLXO.com/29.09.2021

Ursula von der Leyen: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë - Serbi është jetik

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për media të përbashkët me kryeministrin, Albin Kurti, tha se është jetike që të normalizohen raportet Kosovë – Serbi.

Ajo tha se është e shqetësuar me krizën në veri të vendit dhe sipas saj duhet të shtensionohet situtata.

“Ka rëndësi jetike që të normalizohen raportet, jam e shqetësuar me krizën aktuale dhe duhet të shtensionohet situata, e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha ajo.

Presidentja e KE-së theksoi se Kosova duhet ta vazhdojë luftën për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Është më rëndësi që Kosova të vazhdoj punën për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbështesim zotimin për reforma në sektorin e drejtësisë. Ka edhe më tutje shumë punë që duhet të bëhet. Dua që Kosova të marrë pjesë në përpjekjet për një Evropë të bashkuar, për shkak që Kosova ka shumëçka të kontribuoj në këtë drejtim”, tha ajo më tej.

Leyen shtoi se BE e sheh Kosovën në të ardhmen si pjesë të saj.

“Në dëshirojmë një të ardhme ku Kosova dhe Ballkani Perëndimor është pjesë e BE-së dhe për këtë po punojmë. Ja kemi borxh fëmijëve që i pamë në këtë kopsht, sepse e ardhmja e tyre është evropiane. Jemi në partneritet në luftën kundër pandemisë, dëshirojmë të përshpejtomë vaksinimin dhe dëshirojmë një rimëkëmbje ekonomike”, shtoi ajo.

Sipas saj, Kosova është një popull me shpirt sipërmarrës.

“Kështu që do të duhej të përfundohej këtu me krijimin e vendeve të punës që paguhen mirë. Ne kemi ofruar fondet përkatëse dhe tani na nevojitet një proces të cilin do të shfrytëzoni ju, në mënyrë që të shohim 20 miliardë euro investime. Ti bashkojmë forcat të sigurohemi që ky plan ka sukses”, tha më tej presidentja e KE-së.