
Urimi i Abdixhikut për Pavarësi: Përplasja është e përkohshme, atdheu ynë është i përhershëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka uruar për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke rikujtuar që përplasjet e brendshme politike janë të përkohshme kurse atdheu është i përhershëm.
Abdixhiku lutë që në këtë përvjetor të 17-të, le të kujtojnë së bashku se dashurinë për pavarësi e shtet nuk mund ta zhbëjë përplasja e brendshme politike.
“Përplasja është e përkohshme, atdheu ynë është i përhershëm. Ky atdhe na thërret të vazhdojmë rrugëtimin secilën ditë!”- ka shkruar ai në Facebook më 17.02.2025.
Ai tha se Kosova shtet, Republikë, është arritja më e madhe, shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim dhe mburojë e garantuar për të gjithë ata që vijnë.
“Në këtë ditë nderojmë Atin Themeltar të kësaj Republike, Presidentin Dr. Ibrahim Rugova prirja e së cilit – në orët tona më të rënda – dha dritë. Sot nderojmë gjithë luftëtarët, martirët e dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, të Ushtrisë sonë Çlirimtare, nderojmë Familjen Jashari, sakrifica e të cilëve na qëndron si gurëthemel i vet lirisë. Nderojmë aleatët tanë, ata që bënë luftën me ne, bënë paqen me ne”- ka shtuar ai.
Më 17.02. 2025, shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.
Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.
Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit.
Shpallja e Pavarësisë u realizua pas një periudhe të gjatë negociatash dhe përpjekjesh për të arritur një zgjidhje paqësore. Ajo shënoi fundin e një periudhe të gjatë pas Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e vendit.
Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në korrik të 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.
Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian, një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për më shumë se 9 vjet. Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.
Para shpalljes së Pavarësisë, një plan i quajtur “Plani i Ahtisarit”, i propozuar nga Martti Ahtisaari, i cili ishte dërguar si dërguar special i Kombeve të Bashkuara, ofroi një kornizë për krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.