Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Urdhri i Biden për Ballkanin nënvizon shqetësimin e SHBA-së për rajonin

SHBA-ja kërcënon me sanksione ata që mendohet se po destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, në politikë dhe më gjerë. Kë ka në mendje Uashingtoni?

Një urdhër ekzekutiv i zgjeruar i lëshuar nga presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe që synon ata që konsiderohen se po destabilizojnë Ballkanin Perëndimor është një reflektim i shqetësimit të madh në Uashington përsa i takon drejtimit që ka marrë rajoni, ndikimit në rritje të Kinës dhe dobësisë së politikës së BE-së, thonë ekspertët.

Pyetja e vetme është – kush duhet të shqetësohet më shumë?

“Unë besoj se së shpejti do të dëgjojmë për emra të rinj jo vetëm në politikë”, tha Gjergj Vurmo, drejtor programi në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Shqipëri, duke spekuluar se njerëz të biznesit dhe medias me lidhje në politikë “së shpejti do të gjejnë emrat e tyre… në listë”.

Për analisten politike me bazë në Bosnjë, Tanja Topiç, lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik ishte “frymëzimi” për urdhrin për kërcënimet e tij të hershme për t’u ndarë nga Bosnja, por “tani do të jetë interesante të shohim se kush do t’i bashkohet Dodik në këtë listë”.

Urdhri i Biden po shihet si një shenjë e shqetësimit të thellë.

“Amerikanët nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po përparojnë gjërat”, tha ish-ambasadori serb në Uashington Ivan Vujaciç.

“Integrimi në BE, i cili është i rëndësishëm për ta, nuk po përparon, ndërsa korrupsioni dhe krimi po lulëzojnë. Kjo gjithashtu u drejtohet qeverive që bëjnë marrëveshje jo transparente me Kinën, ndikimi i së cilës në rajon është në rritje.”

Urdhri i Biden i 8 qershorit – “bllokim i pronës dhe pezullim i hyrjes në Shtetet e Bashkuara për persona të caktuar që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor – vjen dy dekada pasi administrata e George W. Bush lëshoi një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pronave të atyre që “kërcënojnë përpjekjet ndërkombëtare të destabilizimit” në rajon pas një dekade lufte dhe rrëzimit në vitin 2000 të Sllobodan Millosheviçit.

Në atë kohë, shpresat po rriteshin se stabiliteti do të çimentohej dhe rajoni do të lëvizte shpejt drejt integrimit me Perëndimin. Megjithatë, që atëherë, nga shtetet që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë socialiste, vetëm Sllovenia dhe Kroacia i janë bashkuar Bashkimit Evropian.

Zgjerimi i NATO-s ka lëvizur më shpejt, por korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë lulëzuar, ndërsa demokracia mbetet e brishtë. Rusia, Turqia dhe veçanërisht Kina kanë rritur praninë e tyre.

Urdhri i Biden përmend direkt Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018 që i dha fund dekadave të mosmarrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi emrin e kësaj të fundit, Marrëveshjen e Ohrit 2001 që i dha fund përleshjeve në Maqedoninë e Veriut midis forcave të sigurisë dhe guerileve etnikë shqiptarë, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që u miratua në fund të luftës së Kosovës 1998-1999 dhe Marrëveshjen e Dejtonit 1995 që i dha fund gjakderdhjes në Bosnjë.

Në një deklaratë për BIRN, ambasada e SHBA-së në Beograd tha se SHBA-ja po zgjeronte programin e sanksioneve për të synuar “një gamë më të gjerë të veprimtarisë malinje në rajon”, për të përfshirë Shqipërinë në mënyrë që të adresojë “rrjetet ose korrupsionin në të gjithë rajonin” dhe për të përfshirë zhvillime të tilla si Prespa dhe punën e Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, i cili po përfundon punën e gjykatave ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën.

Vujaciç tha për BIRN: “Ky është një mekanizëm i ri presioni mbi qeveritë dhe individët dhe një mesazh për aktorët në Ballkan që ata po vëzhgohen me kujdes dhe do të penalizohen, nëse është e nevojshme.”

Vurmo tha se urdhri ishte rezultat i krizës së zgjatur dhe amullisë në Bosnjë, ngërçit në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, tensioneve të brendshme në Malin e Zi anëtar të NATO-s, nevojës për të shpërblyer Maqedoninë e Veriut për Marrëveshjen e Prespës dhe kërcënimit të “kapjes së shtetit” dhe mbivendosjes midis strukturave politike, ekonomike dhe krimit të organizuar në disa vende të rajonit.

“Mesa duket, BE-ja nuk ka mundur dhe nuk mundet të merret me një rajon kaq ‘sfidues’ dhe nuk mund të mbajë dot as premtimet që i ka bërë Maqedonisë së Veriut, Kosovës (për liberalizim të vizave), etj.”, tha ai.

“Së dyti, kjo vjen në një kohë kur ne shohim mbizotërimin e të kuptuarit që korrupsioni gërryen jo vetëm ekonominë dhe demokracinë e një vendi të caktuar, por edhe sigurinë e komunitetit të cilit i përket.”

Një total prej 193 personash ose organizatash nga rajoni janë subjekt i sanksioneve të SHBA-së. Shumë prej tyre janë dënuar për krime lufte.

Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, u sanksionua në vitin 2017 për pengimin aktiv të përpjekjeve për të zbatuar Marrëveshjet e Dejtonit 1995.

Dikur i konsideruar si një reformator dhe një aleat i Perëndimit, Dodik u shfaq si një nacionalist fanatik, i cili për vite me radhë mbron në mënyrë aktive shpërbërjen e Bosnjës, duke lejuar entitetin e Republikës Srpska, që e drejton partia e tij, të dalë më vete.

“Është e qartë se nuk ka rëndësi se kush është presidenti i SHBA-së, politika e tyre është e qëndrueshme”, tha Topiç.

“Me deklaratat e tij rreth pavarësisë së entitetit serb të Bosnjës, shpërbërjen e Bosnjës dhe referendumin për shkëputjen, Dodik po shkakton tensione shtesë në një vend që tashmë ka mjaft probleme.”

Dodik tha se urdhri i Biden ishte një përpjekje për “të formësuar marrëdhëniet në rajon”, por i cili do ta bënte më të vështirë dialogun, “të paktën kur bëhet fjalë për Bosnjën dhe Hercegovinën”.

Urdhri i Biden thekson se ndëshkimet do të vlenin edhe për ata që janë përgjegjës për “shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të përfshirë në korrupsion në rajon, duke përfshirë përvetësim të fondeve publike, tjetërsim të pronës private për përfitime personale ose për qëllime politike dhe ryshfet”.

Vitet e fundit ka pasur shenja në rritje të lidhjeve midis elitave politike të rajonit dhe krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vujaciç tha se tregtari serb i armëve Slobodan Tesiç, tashmë i sanksionuar në 2017, ishte me interes të veçantë. Tesiç, i cili kaloi një dekadë të tërë në një listë të zezë të Kombeve të Bashkuara për shkeljen e një embargoje armësh, vazhdon të bëjë biznes me shtetin serb, ka raportuar BIRN.

Sipas Thesarit të SHBA, “Tesiç do të siguronte drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte ryshfet dhe ndihmë financiare për zyrtarët” në mënyrë që të siguronte kontrata armësh.

“Unë jam i sigurt se autoriteteve në Beograd u është thënë se ata po e vëzhgojnë me kujdes këtë person”, tha Vujaciç për BIRN.

Po kështu, Vujaciç tha se SHBA-ja donte të frenonte tregtinë e drogës dhe pastrimin e parave, aktivitete kaq të përhapura sa besohet se duhet të kenë një lloj mbështetje të heshtur nga strukturat shtetërore.

“Ky është një paralajmërim për politikanët, të cilët mendojnë se janë të paprekshëm, se ata duhet të mendohen edhe njëherë para se të veprojnë”, tha ai për BIRN.

Në Shqipëri, Vurmo tha se shumë politikanë shqiptarë do ta kishin lexuar me shqetësim lajmin e urdhrit të Biden. Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij u shpallën non grata më 19 maj për shkak të “përfshirjes në korrupsion madhor”.

Disa politikanë dhe zyrtarë të tjerë gjyqësorë ishin gjithashtu në listën e zezë. Vurmo tha se ai priste që të tjerët t’i bashkoheshin këtyre, “domethënë bashkëpunëtorët e këtij grupi politikanësh që mbajnë pozicione të forta në ekonomi dhe media së shpejti do të gjejnë emrat e tyre të shkruar në listë”.

Urdhri i Biden në vetvete nuk do të zgjidhë problemet e rajonit, tha ai, por “duhet të konsiderohet si një katalizator për veprime më vendimtare nga vetë vendet në rajon – institucionet dhe shoqëria”/Reporter.al/