Urdhërohet sekuestrimi i pronës në Veternik të Prishtinës, dyshohet për manipulime

Më një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës është urdhëruar të sekuestrohet përkohësisht një pronë në Veternik të Prishtinës në sipërfaqe prej afër 1 hektar.

Dosja e Prokurorisë së Prishtinës shpërfaq dyshimet për falsifikim të dokumentit me të cilën është bërë bartja e pronësisë nga një pronarë te një tjetër.

Për këtë, Prokurporia përmend provat dhe vendimet që dëshmojnë se ishte falsifikuar nënshkrimi, konkretisht nënshkrimi i dhënë në atë dokument nuk është nënshkrimi i M.F., në bazë të cilit dokument Z.H., nëna e të dyshuarit Y.H. e fiton të drejtën e pronësisë për parcelën.

Sipërfaqja e tokës së sekuestruar në lagjen në hyrje të qytetit të Prishtinës kap sipërfaqen prej 7 mijë e 146 metra katrorë.

Dyshimet e prokurorisë ngritën edhe në atë se vula e përdorur në këtë dokument nuk i përket vulës së institucionit i cili kinse e ka lëshuar këtë dokument.

Kjo është vërtetuar përmes ekspertizës se përpiluar nga një ekspert gjyqësor, pretendon prokuroria në dosjen e rastit.

Mbi këto dyshime e bazuar në kërkesë të prokurorisë është lëshuar urdhri për sekuestrim të kësaj prone në Veternik të Prishtinës.

Sipas urdhrit të gjykatës në pronën e paluajtshme duhet vendosur njoftimet që punëkryersi nuk i lejohet të vazhdojë punimet, që ndalohet shitblerja e banesave dhe njoftohet qytetarët se prona i është nënshtruar sekuestrimit të përkohshëm, e që hyrja në të nuk është e lejuar.

Po ashtu në urdhëresën e gjykatës bëhet me dije se personat që hyjnë pa leje në këtë pronë i nënshtrohen arrestit.

Për këtë rast Prokuroria e Prishtinës është duke bërë hetime.