Uran Ismaili: Shëndetësia duhet të çlirohet nga monopolet

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së Uran Ismaili ka thënë se shëndetësia duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga monopolet dhe keqpërdorimet që pasurojnë oligarkët dhe varfërojnë qytetarët.

“Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe e xhepit të tyre duhet të jetë parimi kryesor i të gjitha politikave shëndetësore. Për këtë arsye, hapi i radhës në ndalimin e zhvatjes në emër të shëndetit do të ishte vendosja e tavanit të çmimit për testime në laboratoret private” ka shkruar ai në Facebook.

Ismaili ka thënë se që nga fillimi i pandemisë ka kërkuar testimin masiv të populates dhe se Qeveria Kurti as Hoti  nuk arritën të bëjnë këtë.

“Për të mbrojtur qytetarin nga predatorët financiarë, para se të licencoheshin laboratoret private, Qeveria është dashur të vendoste tavanet e çmimeve për të gjitha shërbimet që ndërlidhen me pandeminë” ka shkruar Ismaili.

Sipas tij, licencimi i institucioneve private për testim është hap para në luftimin e pandemisë, por kurrsesi nuk duhet të shihet si zëvendësim i testimit falas të organizuar nga shteti.

Tutje, ai ka shkruar se duhet të lejohet asnjë kompani, sado e fuqishme të jetë ajo, të pasurohet padrejtë në kurriz të pacientëve dhe se shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve nuk mund të rrezikohet për shkak të interesave financiare të askujt.

Ky reagim erdhi pas ankesave të qyetarëve në lidhje me çmimin e testit për COVID-19 në laboratorin privat “Medical Laboratory & Services“, i cili është në pronësi të një familjareje të Devollëve.

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi kishte thënë se në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash, deri në 200 euro.