Uran Ismaili në vetizolim, përsëri nuk mund të dëshmojë për rastin e vrasjes në "Bon Vivant"

Në gjykimin ndaj të akuzuarve  për vrasjen e rojes së lokalit “Bon Vivant”,  Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi përsëri mungoi dëshmitari Uran Ismaili.

Deputeti  nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili i cili ishte i propozuar si dëshmitar, në seancën e sotme nuk u paraqit për arsye se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Uran Ismaili nuk është i pranishëm i njëjti e ka njoftuar Gjykatën me parashtresën e datës 16 tetor 2020 se i njëjti është në vetizolim për shkak se ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19”, tha gjykatësja Suzana Cerkini.

Kujtojmë se edhe në seancën e kaluar ishte i ftuar deputeti i PDK-së  Uran Ismaili, i cili njëherësh është edhe bashkëpronar i lokalit ku kishte ndodhur ngjarja, por i njëjti nuk ishte paraqitur në Gjykatë.

Sipas Gjykatës, kishte probleme me adresën e Ismailit, duke bërë që ai të mos e pranojë ftesën.

Ndërsa seanca është duke vazhduar, ku dëshminë e saj po e jep dëshmitarja Dea Kukaj.

Sipas aktakuzës së ngritur me korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës, respektivisht revolja e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ri cilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Por ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.