Ministri Uran Ismaili - Foto: KALLXO.com

Uran Ismaili masat e Qeverisë për COVID-19 i quan vendime “sot për nesër”

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Uran Ismaili po e quan të pafalshëm menaxhimin e gjendjes pandemike nga Qeveria.

Ismaili ka thënë se qytetarët kanë nevojë për vendime që do të rezultonin në uljen e të infektuarve dhe jo për vendime “sot për nesër”, pa asnjë rezultat me të cilat nuk luftohet pandemia.

“Është e pafalshme që kjo gjendje abnormale të trajtohet nga Qeveria si gjendje normale”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Sipas tij është për keqardhje dhe e papranueshme se si Qeveria Hoti vendos masa, heq masa, kufizon qytetarët, liron qytetarët, pavarësisht numrit të të infektuarve. Këtë situatë ai e cilëson si një kaos i vendimeve politike në luftën kundër pandemisë.

Ismaili ka thënë që shifrat e larta të rasteve të infektuara nuk po e alarmojnë Qeverinë që sipas tij po fillon me vendime dhe e përfundon me vendime të tjera, e që asnjëra prej të cilave nuk po rezulton suksesshëm në menaxhimin e pandemisë.

Ndërsa për masat për vetizolim pë rata që udhëtojnë në Shqipëri ai ka quajtur si show politik.

“Tani, po shohim edhe vendime për masa të vetë-izolimit për këdo që udhëton në Shqipëri. A mos në mostrën e testimeve po dalin se të infektuarit kanë qenë vizitorë në Shqipëri, apo ky është më shumë për një shoë politik? Cilat të dhëna çuan në këtë vendim?”, shkruan ai.

Sipas tij, Kosova në këtë situatë ka nevojë për një strategji kombëtare, me të cilën do të diheshin qartë hapat për luftimin e pandemisë dhe roli e përgjegjësia e institucioneve në nivel qendror dhe lokal.