Uran Ismaili: Glauku është bërë valutë për transaksione politike

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar largimin e Glauk Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit, duke thënë se në këtë rast është zbuluar një valutë për transaksione politike.

“Dhe shkelja më e madhe që është bërë gjatë kësaj kohe dhe që meritoni një çmim. Çmimin inovativ për shkeljen e parimeve dhe rregullave të demokracisë. Këtë e meritoni ju. Sepse në këtë kohën e teknologjisë, kanë filluar të përdoren disa kripto-valuta. Pra valuta të reja që përdoren për transaksione të ndryshme. Por valutë për transaksione politike deri më tash nuk kemi pasë. Dhe më duhet me iu dhënë çmimin që e zbuluat edhe valutën Glauk. Pra e bëtë Glaukun valutë, për transaksione politike. Ta jap një Glauk,  m’i jep dy ministri. Po ta jap një Glauk, ami dy nënkryetarë”, ka deklaruar Ismaili.

 

Ai gjithashtu ka deklaruar se ky koalicion është vonuar jo për shkak të programit, po për shkak të pazareve dhe lakmisë për pozita.

“Sa panë qytetarët nga programi, sa panë nga ajo që iu intereson qytetarëve. Çka panë qytetarët gjatë gjithë kësaj kohe, vetëm e vetëm diskutime për pozita, ngase lakmia e këtij koalicioni bazohej në atë. Krejt çka na kujtohet është po zgjedh unë, jo po zgjedh unë, jo po zgjedh unë, jo, jo po zgjedh unë. Mbeti programi, u harruan projektet, u kthye lakmia dhe lakmia për pozita”, deklaroi deputeti i PDK-së, Uran Ismaili.