Uran Ismaili: Ftoj të gjithë të rinjtë e të moshuarit e Prishtinës të votojnë

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, votoi në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Ai para mediave deklaroi se mezi po e pret rezultatin e natës së sotme dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të ushtrojnë të drejtën e tyre.

“E konsideroj tepër të rëndësishme  këtë garë prandaj i ftoj të gjithë të rinjtë e të moshuarit e Prishtinës që të dalin dhe me votën e tyre të zgjedhin kryetarin e Komunës”, ka thënë Ismaili.

Kandidatët në garë për Prishtinën janë Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re.

Në Kosovë sot po mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat do të zgjidhen kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Këto janë zgjedhjet e shtata për kuvendet komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

Vendvotimet janë hapur në ora 7:00 dhe mbyllen në ora 19:00.