Ministri Uran Ismaili - Foto: Facebook/UranIsmaili

Uran Ismaili: Donacionet e Serbisë kanë ardhur në bazë të ligjeve të Kosovës

Ish- ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, iu është kundërpërgjigjur deklaratës së kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, lidhur me donacionet e Serbisë të cilat kanë hyrë sipas Osmanit që nga viti 2016 në Kosovë.

Ismaili tha se donacionet të cilat kanë ardhur në Kosovë, kanë ardhur në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, në bazë të komisioneve që i kanë paraparë ligjet e Kosovës dhe iu janë nënshtruar gjitha kërkesave të Republikës së Kosovës.

“Kryetare me shtine me dyshu nëse je e lajthitur ose je duke promovu shkeljen e ligjit. Nëse mendon se faktet të cilat i ke nga stafi civil janë për ty të mjaftueshme për mos ta verifiku të vërtetën por me proklamua atë në ngritje të një argumenti politik konsideroj se jeni në shteg të gabuar. Donacionet të cilat kanë ardh në Kosovë, kanë ardhur në baze të ligjeve të RKS, në bazë të komisioneve që i kanë parapa ligjet e Kosovës dhe iu janë nënshtruar gjitha kërkesave të RKS”, tha Ismaili.

Ndërkaq sa iu përket testeve që kanë hyrë në mandatin e Kurtit, Ismaili tha se “Testet të cilat kanë ardh, kanë ardh në gepek jo në bagazh se s’kanë ardh nga Shqipëria po në gepek nga Serbia. Kanë ardh brenda me njerëz të Gjuriqit nuk i ka prit asnjë institucion i Kosovës”, tha ai.

Edhe Osmani, iu është kundërpërgjigjur duke thënë se asnjë konstatim nuk e ka dhënë lidhur me atë se si kanë hyrë donacionet.

“Për mua donacioni nga Serbia nuk ka arsyetim as në 2016, as 2017, 2018 eas 2019 e as 2020.

Unë thjesht ju informova që kjo letër më ka ardhur nga MSH, jo nga persona politikë por nga sekretari permanent. Dhe këtë letër do ta keni të gjithë ju si deputet”, tha ajo.

Në këtë diskutim u përfshi edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.

“Nuk bën me manipulu asnjëri nga ne, as kryetarja e Kuvendit që në Kosovë qenkan futur doancione nga Serbia jashtë normave ligjore.  Ato janë futur me norma ligjore dhe kanë shkuar për komunitetin serb”, tha Gaxherri.