Uragani “Milton” lë 3.2 milionë shtëpi e biznese pa rrymë

Më shumë se 3.2 milionë shtëpi dhe biznese në Florida kanë mbetur më 10.10.2024 pa energji elektrike pasi uragani “Milton” është përplasur në brigjet perëndimore të këtij shteti disa orë më parë, kanë treguar të dhënat që Reuters i ka marrë prej “PowerOutage.us”.

Milton është përplasur në brigjet e Floridës në orën 8:30 sipas kohës lokale si uragan i kategorisë së tretë, me erëra të fuqishme deri në 195 kilometra në orë afër Siesta Key, ka bërë të ditur Qendra kombëtare amerikane për uragane. Është dobësuar prej fundjavës në uragan të kategorisë së dytë, megjithëse ende konsiderohet jashtëzakonisht i rrezikshëm.

“Konsumatorët duhet të jenë të përgatitur për reduktime të gjata. Kushtet katastrofale të stuhisë së pashembullt dhe reshjet e dendura së fundmi me gjasë do të shkaktojnë dëm të madh dhe sfida për rikthim në energjisë elektrike”, ka bërë të ditur prodhuesi “Florida Power & Light Company”.

Kompania ka shtuar se ka angazhuar më shumë se 17 mijë punëtorë me qëllim që të sanohen dëmet.

Më shumë se 109 mijë konsumatorë në Georgia dhe Karolinë të Veriut ende nuk kanë energji elektrike pas uraganit “Helene”, i cili la të vdekur më shumë se 200 persona në gjashtë shtete. Ai ishte uragani më vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara pas uraganit “Katrina”, i cili ua mori jetën më shumë se 1.400 qytetarëve amerikanë në vitin 2005. Në Florida, deri tani është raportuar për katër persona të vdekur nga “Milton”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com