Ura në Pestovë të Vushtrrisë. Foto: Kallxo.com

Ura e re në Vushtrri, peng i neglizhencës së institucioneve

E nisur para tri viteve, një urë në fshatin Pestovë të Vushtrrisë ka lidhur dy brigjet e lumit Sitnica, por qytetarët nuk po munden ende ta shfrytëzojnë atë.

Ura është lëshuar për qarkullim por një problem pronësor e ka bërë atë të papërdorshme.

Ishte viti 2016 kur banorët e fshatit iu gëzuan nisjes së punimeve për ndërtimin e kësaj ure, meqë një urë tjetër krah saj ishte vjetruar dhe nuk garantonte siguri për kalimin e këmbësorëve dhe makinave.

Por ndonëse është lëshuar në qarkullim, qytetarët vazhdojnë të përdorin urën e vjetër e cila tani është edhe më shumë e dëmtuar dhe paraqet rrezik për qytetarët.

Problem po del të jetë një parcelë prej 1.6 ari e cila nuk është shpronësuar me kohë ndërsa tash po kërkohen punë shtesë për t’u ndërtuar mure mbrojtëse në të dy anët e urës.

Ura në Pestovë të Vushtrrisë. Foto: Kallxo.com

Drejtori për urbanizëm dhe mbrojtje të mjedisit në komunën e Vushtrrisë, Berat Sadiku, e bën përgjegjëse Ministrinë e Infrastrukturës për vonesën e punimeve. Ai thotë se komuna ka bërë presion të vazhdueshëm ndaj Ministrisë që t’i përshpejtojë punimet.

“Ura në Pestovë është investim i Ministrisë së Infrastrukturës. Shpronësimi është dashur të përfundohet para se të fillohet ekzekutimi i projektit si dhe është dashur që ato mure anësore të përfshihen në projekt. E tërë kjo është neglizhencë e Ministrisë së Infrastrukturës”, thotë Sadiku.

Ndërkaq Nebih Luzha, përgjegjës i projektit nga Ministria e Infrastrukturës, konfirmoi se punimet janë ndalur si rezultat i mos shpronësimit të pronave afër urës.

Mirëpo Luzha nuk u përgjigj në pyetjen se pse pronat nuk janë shpronësuar në fillim të projektit.

Ministria e Infrastrukturës ka shpenzuar mbi 300 mijë euro për ndërtimin e kësaj ure.

Ura në Pestovë të Vushtrrisë. Foto: Kallxo.com