
Ura e Ibrit vazhdon të mbikëqyret nga forca të sigurisë - FOTO
Policia e Kosovës, KFOR, Carabinieri MSU janë parë duke qëndruar në urën e Ibrit në Mitrovicën e Veriut.
Pranë urës, në pjesën veriore janë parë edhe ekipe të EULEX-it.
Dje gjatë ditës në komunat e veriut të Kosovës pati një situatë të tensinouar, përderisa gjendja sot shihet të jetë stabile.
Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në këto pjesë ku ka parë që pranë zyrës se Komisionit Komunal Zgjedhor që u demolua dje, ka pasur lëvizje në rrugën që gjendet zyra nga Policia e Kosovës dhe nga pjesëtarë të njësisë ‘Carabinieri MSU’.
Ditën e djeshme në veri të Mitrovicës pati vazhdimisht disa shpërthime në pjesë të ndryshme të qytetit, e madje në komunat veriore u lëshuan edhe sirenat.
Një nga vendet ku dëgjoheshin shpërthime të tilla ishte edhe pjesa që njihet si “Tri rrokaqiejt”, ku edhe gjendet zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor.
Të gjitha këto ndodhën pas kundërshtimeve të patën qytetarët ndaj shkuarjes së zyrtarëve të lartë të përzgjedhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi kishte treguar se shkuarja e këtyre zyrtarëve kishte qenë me qëllim të kryerjes së detyrave zyrtare lidhur me zgjedhjet që janë planifikuar të mbahen më 18 dhjetor në komunat e veriut të Kosovës.