Takimi në Mitrovicë të Veriut. Foto: KALLXO.com
Ura e Ibrit, mblodhi në takim qytetarët serbë dhe shqiptarë me zyrtarët shtetërorë
Zyrtarët shtetërorë dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut mbajtën takim të përbashkët për Urën e Ibrit.
Në objektin e Kuvendit Komunal të komunës së Mitrovicës së Veriut u zhvillua një takim mes zyrtarëve shtetërorë dhe Policisë së Kosovës me qytetarët serbë dhe shqiptarë të asaj ane. Gjatë diskutimit u parashtruan pyetje nga qytetarët në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit dhe tema tjera të ndërlidhura me problemet në veri.
Përderisa në takim, shihej një numër i vogël i qytatarëve, për t’u përgjigjur në pyetjet dhe kërkesat e tyre ishin prezent kryetari i komunës, Erden Atiq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Jeta Tela nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe zëvendsdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut Veton Elshani.
Ministri Krasniqi tha se në këtë komunë ku jetojnë komunitete të ndryshme, bashkëjetesa është e mundshme.
“Duke përcjellur mesazhet për bashkëpunim dhe bashkëjetesë. Ura e Mitrovicës së Ibrit do të bëhet. Është absurde mbajtja e urës mbyllur”- tha Krasniqi, duke shtuar se do të ketë investime kapitale dhe projekte konkrete për komunën.
Kryetari Atiq, tha se ka interesim nga qytetarët serbë që të mbahen takime, por më shumë takime në katër sy sesa në formate të mëdha.
“Aq sa kemi pas kapacitet me iu përgjigj atyre kërkesave, ju kemi përgjigjur. E kemi parasysh kemi të bëjmë me një komunë politikisht komplekse. Mbi 90% të qytetarëve qe kanë brenga, mundem të them që një përqindje të lartë i kemi taku dhe jemi mundu me jua zgjidh ato probleme”- tha Atiq.
Ndërsa, Elshani, tha që as vet nuk e kuptojnë se pse Ura e Ibrit po mbahet e mbyllur.
“Ne e pyesim veten se pse kjo Urë është e mbyllur. Nuk ka arsye sigurie pse duhet të jetë e mbyllur. Shpeshherë po e pyes veten se pse kjo urë është e mbyllur. Është mirë nga ju me dëgju se pse kjo urë duhet me mbet e mbyllun, sepse nga aspekti i sigurisë nuk ka ndonjë arsye”- tha Elshani.
Elshani tha se nëse është për punën e sigurisë, kishim gjetur metoda, forma që ta sigurojnë në forma të ndryshme.
“Mirëpo duke parë konstruktin praktik të urës, rrugës, të vendit, sheshit Car Llazar, të rrugëve anësore, ne nuk jemi t`u e ditë se pse duhet me qëndru e mbyllun”- shtoi ai.
Një qytetar serb pyeti se si zyrtarë a do të marrin përsipër nëse ndodh ndonjë incident, ose nëse lëndohet dikush.
“Ne kemi qef të bëhet mirë”- tha ai duke bërë pyetjen.
“Aksidentet në urë, nuk e di çka ka ndodh te ti, me siguri që mas takimit mundemi me folë, ose nëse ti je i paknaqun kemi me kqyrë këtë punë. Për mua, për të gjithë qytetarët e veriut, dera ime është e hapur edhe gjithmonë të unë janë adresu, dhe i kemi zgjidh. Dje unë kam dërgu një kërkesë tek drejtori i përgjithshëm i Policisë e që e ka adresu te ministri i Brendshëm që me shty afatin për konvertimin e patentë-shoferëve. Na ju kuptojmë problemet shumë mirë”- u përgjigj Elshani në pyetjen e qytetarit.
Jeta Tela, këshilltare e lartë në Ministrin e Brendshme, ka thënë se MPB-ja ka qenë e përkushtuar ta luftojë krimin në komunat veriore, “por edhe ta rrisë bashkëpunimin polici – komunitet”.
Më 07.08.2024, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka ftuar bashkëqytetarët e komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin, sipas tij, do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit.
Hapja e urës “i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”- tha kryeministri Albin Kurti, më 18.07.2024, një ditë pas takimit paraprak që mbajti me ambasadorët e QUINT për këtë çështje.
Për të parin e vendit, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.
Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, tha që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog.
“Diskutimet janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë”- tha Stano për KALLXO.com.
BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.
“Simboli i normalizimit”: Fati i Urës së Ibrit i varur nga dialogu në Bruksel