Tabela e punimeve për urën e Drojës. Foto: Facebook/Reporter.al

Ura e Drojës në rrezik shembjeje vetëm dy vjet pas ndërtimit

Një urë e ndërtuar dy vite më parë dhe e mburrur për cilësi nga kryeministri Edi Rama rrezikon të shembet, duke kërcënuar me izolim qindra banorë.

Ura e Drojës –që lidh Kurbinin me Fushë Krujën, u inaugurua me bujë në shtator 2018, por dy vite e gjysmë më pas është në prag shembjeje.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH i tha BIRN se kishte konstatuar në një inspektim dëmtime të konsiderueshme, deri në shkatërrimin e mbrojtjes së shpatullës së Urës nga drejtimi i Tiranës.

ARRSH shpenzoi 12.8 milionë lekë në vitin 2018 për projektimin e 8 urave, ku përfshihej edhe ura e Drojes. Ndërtimi i saj u financua sipas Ministrisë së Infrastrukturës nga kompania e çimentos “Antea Cement” me 1 milion euro, por këmbët nuk mbajtën gjatë.

Në një postim në Facebook në gusht 2018, kryeministri Edi Rama e mburri urën e Drojes dhe në replika me komentues tha se ndonëse investimi ishte dhuratë nga një kompani private, puna e mirë dhe cilësore ishte përgjegjësi e rolit kyç të ministrisë së tij të Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Pyetja nuk është asnjëherë në këto raste ku u gjetën lekët për ta bërë një vepër publike, po si organizohet e sa cilësore është puna ndërtuese”, shkroi Rama.

Reshjet e fillimit të këtij viti fajësohen për dëmtimin e këmbëve mbajtëse. Por banorët i thanë BIRN se kjo tregonte që punimet nuk kishin qenë serioze dhe investimi nuk ishte kryer siç ishte reklamuar.

“Për ndërtimin e kësaj ure janë harxhuar 1 milion euro, por siç e shikoni kjo urë rrezikon të bjerë sërish. Me pak fjalë, këtu nuk është shpenzuar as gjysma e parave kanë qenë planifikuar e ato që po i vuajmë pasojat jemi ne banorët, pasi po rrezikojmë sërish izolimin”, tha Preng Lala, banor i fshatit Shpërdhet.

Një tjetër banor thotë se kalimi i urës ishte bërë i frikshëm për ta. “Kalimi këtu është mjaft i frikshëm dhe i rrezikshëm, pasi ura rrezikon shembjen”, tha Maringlen Doçi nga Mamurrasi.

Ai thotë se banorët veç frikës së urës, i frikësohen edhe një izolimi të dytë, pasi ura krijon probleme për qindra familje nga Kurbini dhe Fushë-Kruja.

Autoriteti Rrugor Shqiptar tha se ishte ngritur një grup pune dhe situata është verifikuar në terren dhe pritej përfundimi i analizës për të përcaktuar shkaqet e dëmtimeve.

“Për përcaktimin e shkaqeve që kanë sjellë këtë gjendje të urës duhet të realizohet një studim i plotë  teknik,” thuhet në përgjigjen e ARRSH-së, e cila shtoi se është në pritje të raporteve topografike, gjeologjike dhe hidrologjike “të cilat do të zbardhin edhe shkakun e këtyre dëmtimeve”./Reporter.al