UP: Pretendimet se do të ketë dy afate në qershor për realizimin e provimeve të prillit janë vetëm opinione personale

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se provimet e afatit të prillit nuk janë të realizueshme për shkak të situatës me COVID-19 dhe si rrjedhojë këto provime nuk do të mbahen.

UP po ashtu ka njoftuar se është duke i parë mundësitë që të mund të realizojë mbajtjen e provimeve virtualisht për afatin e qershorit nëse situata me COVID-19 do të vazhdoj kështu deri atëherë.

Sipas njoftimit të Menaxhmentit të UP, të gjitha pretendimet se do të ketë dy afate në qershor për realizimin e provimeve të prillit janë vetëm opinione personale dhe diskutime të brendshme.

Njoftimi i plotë i UP:

Me anë të këtij njoftimi, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” informon studentët, stafin dhe të gjitha palët e interesuara se, ashtu siç jeni informuar në njoftimin e datës 27 mars 2020, si dhe në përputhje me mundësitë dhe kushtet reale të krijuara pas përhapjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë, provimet e afatit të jashtëzakonshëm të prillit nuk janë të realizueshme në këtë fazë.

Njëherësh, ashtu siç jeni njoftuar zyrtarisht, Universiteti i Prishtinës ka filluar përgatitjet për të gjetur format më të përshtatshme për të bërë të mundur realizimin e provimeve virtualisht, në rast se situata do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në qershor, kur zhvillohet afati i provimeve të rregullta, të përcaktuara sipas Statutit të UP-së.

Lidhur me këtë, Universiteti i Prishtinës do të konsultojë dhe do të marrë vendime në kuadër të organeve kompetente dhe më pas do të publikojë njoftim zyrtar për vendimet e marra. Deri atëherë,  të gjitha pretendimet e tjera mbesin opinione personale ose diskutime të brendshme.

Menaxhmenti i UP-së garanton, që të gjitha vendimet e marra, do të bazohen në parimin e së mirës në favor të studentëve dhe stafit të tij, si dhe në përputhje me vlerat themelore të arsimit të lartë dhe kornizës ligjore në fuqi”.