Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

UP pagoi me shuma të ndryshme kryetarët e komisoneve të doktoratës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë vitit 2019 ka bërë kompensime të shumave të ndryshme për kryetarët e komisioneve të doktoratës në fakultete të ndryshme.

Kjo është një nga të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm, që ka theksuar se  në bazë të nenit 22 të rregullores për të ardhurat personale, shuma e caktuar për kryetarin e komisionit për vlerësim dhe mbrojtje të temës është 200 euro.

Por, në disa fakultete të UP-së, ka pasur shuma të ndryshme për të njëjtën çështje.

“Ne kemi vërejtur pagesa të ndryshme ndërmjet Fakulteteve të UP-së, në lidhje me kompensimin e Kryetarit të komisionit për vlerësim dhe mbrojte të temës së doktoratës. Vlerat me të cilat është paguar kryetari i komisionit kanë qenë nga 200€ në Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin Filologjik, Fakulteti Filozofik dhe atë të Bujqësisë kurse me nga 350€ në Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore dhe me 400€ në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike”, ka bërë të ditur auditori.

Auditori ka theksuar se të gjitha vendimet mbi këto kompensime ishin nënshkruar nga Prorektorja për Buxhet dhe Financa.

“Vlen të theksohet se komisioni i vlerësimit dhe mbrojtjes të punimit në një proces të diplomimit zakonisht është i njëjtë, mirëpo mund të jetë edhe i ndryshëm.  Kjo ka ndodhur si pasojë e paqartësisë me rastin e përcaktimit të shumës së kompensimit në rregullore, pasi që, për anëtaret e komisionit është trajtuar ndaras kompensimi për procesin e vlerësimit dhe atë të mbrojtjes, ndërkaq kjo nuk ka ndodhur për kryetarin e komisionit”, thuhet më tej.

Auditori ka theksuar se kompensimet e ndryshme për komisione të njëjta, në fakultete të ndryshme shkaktojnë trajtim jo të barabartë të stafit pjesëmarrës në këto komisione dhe kjo ndikon që paraja publike të shpenzohet në mënyrë jo të duhur.

Tutje ZKA ka kërkuar që Rektori duhet të sigurojë që kompensimet për kryetarin e komisionit të vlerësimit dhe mbrojtjes së temës së doktoratës të jenë konfrom rregullores dhe të njëjta për të gjitha Fakultetet, me qëllim të trajtimit të barabarte.

“ Po ashtu duhet të vlerësohet mundësia e rishikimit të rregullores për të qartësuar dhe unifikuar këtë lloj kompensimi”, është thënë në fund.