
UP organizoi ligjëratë për insektin e ri të gjetur në Kosovë
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar ligjëratë për zbulimin e një insekti të ri në Bjeshkët e Sharrit nga profesori universitar Halil Ibrahimi.
Profesori Ibrahimi ka zbuluar insektin ‘Potamophylax humoinsapiens’, hulumtim i filluar në vitin 2010, ndërsa në janar të këtij viti është pranuar si një insekt i ri.
“Ky nuk është lloji i fundit as lloji i parë që është zbulu, ky hulumtim ka fillu qysh prej viteve 2010, kur e kam gjet ekzemplarin e parë të këtij lloji në teren në Bjeshkët e Sharrit, ka vazhdu me vite të tëra ky hulumtim derisa e kemi kompoletu pasqyrën e këtij hulumtimi që nënkupton punën në teren”- ka thënë Ibrahimi.
Rektori i Universitetit, Qerim Qerimi ka ndarë mirënjohje për punën e profesorit Ibrahimi.
“Është një mirënjohje më e pakta që mund të bëjmë dhe një gjest vlerësimi për ata që sjellin rezultate”- ka thënë Qerimi.
Profesori ka bërë të ditur se kryesisht punon në hulumtimin e insekteve ujore.
“Në Kosovë ka pas të dhëna të pakta për insektet dhe ka pas zona të cilat nuk kanë qenë të hulumtuara. Kosova është vatër e biodiversitetit”- ka thënë ai.
Insekti ‘Potamophylax humoinsapiens’ është lloj i insketit ujor, i cili është gjetur në lumin Lepenc në Parkun Kombëtar të Sharrit.
“Ky insket jeton vetëm në disa proska të vogla, lumenjë të vegjël malor në Bjeshkët e Sharrit, në zonën e Brezovicës, zonës burimore të lumit Lepenc dhe Lumbardhit të Prizrenit”- tregon profesori.
Profesori ka sqaruar se emërtimi ‘humoinsapiens’ vjen nga dy fjalë latine: ‘humo’ që në shqip do të thotë ‘të mbulosh me dhe të varrosësh’ dhe ‘insapiens’ që do të thotë ‘i pamatur, i pa mençur’.