UP njofton për arsyet e propozimit për ndryshim të përcaktimit të normës javore për profesorët e Mjekësisë

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se propozimet për ndryshimin e përcaktimit të normës javore të mësimit brenda vitit akademik si kriter për shpalljen e konkursit për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në thirrjen akademike për profesor asistent në Fakultetin e Mjekësisë janë përpjekje për të zgjidhur një problem brenda fakultetit.

Problemi në fjalë, sipas UP-së, është shpërputhja e madhe mes numrit të orëve të ligjëratave dhe atyre të ushtrimeve në këtë fakultet.

Pasojë e kësaj, sipas komunikatës së Universitetit, është funksionimi i fakultetit në kundërshtim me vendimin në fuqi të Këshillit Drejtues të UP-së për numrin maksimal të studentëve për grup ligjëratash.

“Ka më tepër se 30 asistentë mësimorë me titull shkencor të Doktorit të shkencës të arritur deri edhe para më tepër se një dekade, të cilët plotësojnë kushtet e nevojshme për zgjedhje në thirrjen Profesor asistent, por të cilëve u është pamundësuar një gjë e tillë për shkak të mosplotësimit të normës javore të mësimit brenda vitit akademik” – shkruan UP për pasojën e dytë.

Këto propozime, siç thotë UP, janë bërë pas konsultave gjithëpërfshirëse me menaxhmentin e Fakultetit të Mjekësisë, asistentët aktualë mësimorë të përfshirë, dhe Këshillin Drejtues të UP-së.

Nëse do të bëhej ndryshimi i përcaktimit të normës javore, ajo në total për profesorë asistentë e rinj do të rritej në 10 orë në javë nga 6 sa është aktualisht. Sipas UP-së, praktika e tillë do të zvogëlonte nevojat për pozita të reja të asistentëve, do të ekonomizonte dhe motivonte stafin ekzistues akademik, si dhe do të mundësonte dhe lehtësonte akreditimin e më tepër programeve të reja mësimore.

Në komunikatën për media thuhet se opsioni i sforcimit të vendimit aktual të Këshillit Drejtues do të shkaktonte rritje të madhe të numrit të grupeve mësimore, që do të pasonte me rritjen e menjëhershme për numër të objekteve mësimore dhe rritjen e menjëhershme të orëve të ligjëratave, mbulimi i të cilave do të ishte i papërballueshëm për buxhetin e Universitetit të Prishtinës.

“Opsion tjetër në shqyrtim është anulimi i tërësishëm i ndryshimit ndërmjet orëve të ligjëratave dhe atyre të ushtrimeve në Fakultetin e Mjekësisë, duke pasur parasysh fushën e tyre specifike të studimit me mësim klinik, pastaj sforcimi i vendimit aktual të Këshillit Drejtues për kufizimin e numrit maksimal të studentëve për grup ligjëratash, përkundër kundërshtimit këmbëngulës të tij nga menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë, e deri te opsioni i mbajtjes së status quo-s, duke mos e adresuar fare problemin nga niveli i menaxhmentit të UP-së” – thuhet tutje në komunikatë.

Prandaj, kanë vlerësuar se opsioni i fundit, pra i mbajtjes së “status quo”-së është më i pafavorshmi.

“Në kushtet e reja të krijuara me interesimin e shtuar publik mbi problematikën e mësipërme, jemi të gatshëm për shqyrtim të mëtejmë të problematikës së diskutuar më sipër mbi bazën e këshillimit me njësinë përkatëse akademike”

UP tregoi se ka kërkuar nga menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë që të ofrojë një propozim konkret si qasje për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Gjatë ditës së sotme, Rron Gjinovci  nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), kishte shkruar në Facebook se Lëvizja Vetëvendosje po tenton që ta kapë Fakultetin e Mjekësisë, duke lëshuar një vendim të paligjshëm.

“Edhe pse nuk ka mjaftueshëm orë pune për me marrë profesorë të rinj, këta po dojnë me leju që me 1 orë në javë ligjëratë të një lënde obligative me mujt njerëzit me u zgjedhë profesora. Kjo bahet për me i shti profesora do asistenta të vet.” – ka shkruar Gjinovci.

Këtë ai e ka quajtuar krim ndaj cilësisë në arsim dhe ndaj buxhetit të UP-së, që sipas tij po bëhet.

Sapo ky vendim të nënshkruhet, ai ka thënë se do të bëjë kallëzim penal.