UP merr vendim për afatin e provimeve të prillit

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se afati i prillit i provimeve nuk do të mbahet, pas rrethanave të krijuara nga pandemia e virusit corona.

“Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, në përputhje me mundësitë dhe kushtet reale të krijuara pas konfirmimit të rasteve pozitive me virusin COVID-19, kërkon mirëkuptim nga të gjithë studentët e UP-së, të cilët kërkojnë mbajtjen e provimeve të afatit të jashtëzakonshëm të prillit, se një gjë e tillë është e parealizueshme në këtë faze”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Ata kanë shtuar se janë duke u angazhuar që të gjejnë metoda virtuale për mbajtjen e provime në afate të rregullta.

Universiteti i Prishtinës që nga 16 marsi është duke mbajtur ligjeratat online përmes platformave të ndryshme.

Deri më tani në Kosovë 79 persona janë të infektuar me CoVid-19.