UP me platformë online për konsultime të studentëve me profesorët

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) ka njoftuar se në kuadër të Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS) studentët do të mund të zhvillojnë konsultime online me profesorët e tyre.

“Përmes kësaj mundësie, studentët mund të lidhen lehtësisht me profesorët e tyre, të planifikojnë konsultimet dhe të diskutojnë shqetësimet akademike në mënyrë më efikase”- thuhet në njoftimin e UP-së.

Tutje, thuhet se ky modul ka për qëllim që studentët të marrin shërbime më të qasshme dhe praktike në lidhje me procesin e konsultimeve.

UP-ja ka 14 njësi akademike, ndrësa në vitin akademik 2022/23  janë të regjistruar 6 mijë e 437 studentë.

Universiteti i Prishtinës është themeluar, më 18 nëntor 1969. Kuvendi themelues i UP-së u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit.