UP, mbahen mbledhjet konstituive për t'i hapur rrugë zgjedhjeve për dekanë

Pas zgjedhjeve për anëtarë të këshillave të fakulteteve dhe për senatorë të Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot janë janë duke u mbajtur mbledhjet konstituive për zgjedhjen e përfaqësuesit të përkohshëm, i cili do t’i hapë rrugë përzgjedhjes së dekanëve të 14 fakulteteve të UP-së.

Sekretar i Përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi ka bërë të ditur për KALLXO.com se mbledhja konstituive ka filluar në ora 10:00 dhe është paraparë që të përfundojë në ora 12:00

“Mbledhja konstituive për secilin Fakultet është paraparë nga ora 10:00 deri në ora 12:00.Në këtë mbledhje parashihet të zgjidhet përfaqësuesi i përkohshëm i dekanit në Senat (i/ e cili/a, do të udhëheqë mbledhjen e Këshillit të Fakultetit deri në zyrtarizim të dekanit nga Senati.”, ka thënë ai.

Ndërsa, numri i kandidatëve ende nuk dihet.

“Sot do të propozohen dhe votohen kandidatët për dekan, numrin e të cilëve nuk e dimë, këtë informatë mund ta kuptojmë vetëm pasi t’i pranojmë raportet/procesverbalet e mbledhjeve të sotme.”, ka shtuar Kelmendi.

Pas përzgjedhjes së dekanëve do të bëhet edhe zgjedhja e rektorit të UP-së më 29 korrik. Më 1 tetor 2020 parashihet që të fillojë zyrtarisht ushtrimi i mandateve për strukturat e mandatuara nga zgjedhjet e UP-së.

Nesër mbahen zgjedhjet për anëtarë të Këshillave të Fakulteteve dhe për senatorë