UP lanson faqen psiko-edukuese për shëndetin mendor gjatë pandemisë COVID-19

Departamenti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, së bashku me studentët e programit master “Psikologji Shkollore dhe Këshillim”, kanë lansuar faqen psiko-edukuese për shëndetin mendor dhe ruajtjen e tij gjatë pandemisë COVID-19.

Departamenti i Psikologjisë në bashkëpunim me studentët ideuan dhe realizuan një faqe, ku qytetarët mund të marrin informata praktike përmes videove psiko-edukuese për gjendjet e caktuara të shëndetit mendor si stresi apo ankthi dhe në të njëjtën kohë të informohen se si mund të ballafaqohen me ato në kushte shtëpie.

“Intervenimet e rekomanduara janë të bazuara në evidencë shkencore se kanë ndikim pozitiv në uljen e intensitetit të ankthit, stresit dhe gjendjeve të tjera të shëndetit mendor, që mund të vështirësojnë funksionimin e përditshëm të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Faqja është e konceptuar me seanca. Në seancën e parë trajtohet stresi, në të dytën ankthi dhe në të tretën mendimet brengosëse.

“Për momentin, aktive është vetëm seanca e parë, ndërsa seanca e dytë dhe e tretë do të aktivizohen brenda javës së ardhshme”, vazhdon njoftimi.

Secila seancë ka informata për gjendjet e caktuara dhe rekomandimet për ushtrime, se si mund të zbutet intensiteti i këtyre gjendjeve të shëndetit mendor. Gjatë javëve në vijim planifikohen që të shtohet edhe një seancë specifike për familje dhe fëmijë.

“Projekti i realizuar i përgjigjet nevojave të shëndetit mendor publik. Adresimi i nevojave të shëndetit mendor në këtë periudhë, ku secili qytetar ndihet jashtë zonës së komfortit është shumë e rëndësishme. Po ashtu, projekti i realizuar teston ofrimin e shërbimeve online. Situata e krijuar ka sfiduar profesionet e shëndetit mendor, pasi ato janë kryesisht të varura nga ofrimi të shërbimeve ndaj personit”, përfundon njoftimi i UP-së.

Linkun e faqes mund ta gjeni KËTU.