foto; Denis Sllovinja
UP krijon për studentët modulin për të aplikuar për punë praktike në SEMS
Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se ka krijuar një modul inovativ për punë praktike në Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS).
Moduli inovativ quhet “Praktika në SEMS” dhe sipas UP-së synon të lehtësojë dhe të promovojë punën praktike për studentët dhe të diplomuarit.
“Ky modul shërben si urë lidhëse mes studentëve të UP-së dhe tregut të punës, duke ofruar mundësi për zhvillimin e kompetencave dhe aftësive jashtëkurrikulare në bashkëpunim me sektorin publik dhe privat” – thuhet në njoftimin e UP-së më 19.09.2024.
UP njofton se përmes modulit “Praktika në SEMS”, organizatat mund të publikojnë thirrje për praktika, me pagesë dhe pa pagesë, ndërsa studentët mund të aplikojnë drejtpërdrejt për këto mundësi.
“Platforma gjithashtu u mundëson punëdhënësve të identifikojnë kandidatët e duhur, duke filtruar profilet sipas programeve të studimit dhe nivelit akademik (BA, MA, PhD). Disa nga komponentët kryesorë të modulit përfshijnë: këshillimin, aplikimin, mentorimin, vlerësimin dhe certifikimin e praktikave të suksesshme, duke garantuar një përvojë të plotë dhe të strukturuar për studentët në rrugëtimin e tyre profesional” – ka njoftuar UP.
KALLXO.com ka klikuar në modulin “Praktika” në Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Studentëve, në të cilin paraqiten dy opsione – Apliko dhe Aplikimet. Te ‘Apliko’ nuk shfaqet asgjë, ndërsa te ‘Aplikimet’ shfaqet dritarja – Aplikimet për praktikë, me të dhëna tjera për kompaninë/institucionin, pozitën, data e aplikimit, data e shqyrtimit dhe të tjera.
Si përfundim, UP ka theksuar se përkushtohet në krijimin e kushteve që studentët të kanë mundësi për të fituar përvojë praktike të vlefshme, duke zhvilluar aftësitë e tyre profesionale dhe duke ndërtuar ura lidhëse me tregun e punës për një të ardhme të suksesshme.