Rektorati

foto; Denis Sllovinja

UP kërkon nga Komuna e Prishtinës nisjen e procedurave për verifikimin e pronave të paluajtshme të Universitetit

Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Altin Sahiti, ka njoftuar se sot, më 19.09.2024, bashkë me rektorin e UP-së, Qerim Qerimi, kanë nënshkruar kërkesën drejtuar Kuvendit Komunal të Prishtinës, përkatësisht kryetarit të Komunës, Përparim Rama, për fillimin e procedurave për përmirësimin apo korrigjimin e evidencave të pronave të paluajtshme nga Komuna e Prishtinës në emër të Universitetit të Prishtinës.

“Në qëllim të verifikimit të pronave të UP-së, në maj 2023 në Universitet kishim themeluar grupin punues ndër-institucional me qëllim verifikimin e pronave në shfrytëzim apo që i takojnë Universitetit. Një numër i madh i parcelave në të cilat gjendët kampusi apo njësitë tjera akademike, janë në emër të Kuvendit Komunal të Prishtinës edhe pse me dekada të tëra janë në shfrytëzim të plotë të Universitetit të Prishtinës” – tha Sahiti.

Tutje ai shtoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt verifikimit dhe konsolidimit të një regjistri të pronave të UP-së.

Po ashtu ai tha se në këtë drejtim, Kuvendi Komunal i Prishtinës si autoritet kompetent mund të ndihmojë jashtëzakonisht shumë përmes lehtësimit të procedurave për menaxhimin dhe saktësimin e titullarit, që është UP-ja.

Sahiti theksoi se Universiteti i Prishtinës ndonëse ndodhet në Prishtinë, ai është i gjithë Kosovës dhe pjesë qendrore e integrale e rrugëtimit historik të shtetndërtimit të Kosovës e sipas tij duke qenë kështu, meriton vëmendjen e përkushtimin e gjithsecilit dhe, mbi të gjitha, trajtim të dinjitetshëm.