Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

UP-ja ishte pa drejtor të zyrës ligjore për më shumë se 4 vite

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga fundi i vitit 2017 e deri më 28 janar të këtij viti, ka qenë pa drejtor të zyrës ligjore.

Kjo pozitë ishte paraparë në vitin 2017, në bazë të rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Universitetit, por që nuk ishte emëruar asnjëherë ndonjë drejtor.

Kjo pozitë u ‘gjallërua’ këtë vit më emërimin e ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi nga ana e rektorit, Naser Sahiti më 28 janar të këtij viti.

Nga Universiteti i Prishtinës kanë konfirmuar për KALLXO.com se kjo pozitë ekziston tash e disa vite.

“Pozita “Drejtor i zyrës ligjore” në kuadër të Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, parashihet me Rregulloren me nr. 3/616, datë 4.12.2017 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në kuadër të shërbimeve të Universitetit të Prishtinës, miratuar nga Këshilli Drejtues i UP-së. Por, si pozitë është paraparë edhe para viti 2017”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Sipas UP-së, kjo pozitë nuk ka qenë e plotësuar, “së paku prej kur është në fuqi Rregullorja me nr. 3/616, datë 4.12.2017 e Këshillit Drejtues të UP-së”.

Nga UP po ashtu kanë bërë të ditur për KALLXO.com se në këtë pozitë nuk ka pasur ndonjëherë as ushtrues të detyrës së Drejtorit të zyrës ligjore.

“Ju informojmë që pozita ka qenë vakante që nga viti 2017”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte raportuar për emërimin e ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi në këtë pozitë.

Emërimi i tij erdhi pasi Këshilli Drejtues i UP-së nuk ia vazhdoi mandatin si sekretar dhe vendosi që të shpallet konkurs publik.

Këshilli Drejtues nuk ia vazhdon mandatin Sekretarit të UP-së