Foto: Wikipedia

UP hap thirrjen për bursa në Programin Erasmus+ në Universitetin e Trentos në Itali

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka hapur thirrjen për aplikim për bursa për semestrin veror, për mobilitete në Universiten e Trentos në Itali, në kuadër të programit Erasmus + Mobility të Komisionit Europian.

Sipas një njoftimi për media, llojet e mobilitetit përfshijnë: Shkëmbimin e studentëve për studime baçelor dhe master dhe shkëmbimin e stafit për mësimëdhënie dhe trajnim.

Për Baçelor, studentët duhet të jenë të regjistruar në studimet baçelor në Universitetin e Prishtinës, në programe të ngjashme për të cilat aplikojnë. Të drejtë aplikimi kanë studentët, të cilët kanë të përfunduar një vit nga fusha më poshtë.

Për Master, studentët duhet të jenë të regjistruar në studimet master në Universitetin e Prishtinës ‘’Hasan Prishtina’’, në programe të ngjashme për të cilat aplikojnë.

Të drejtë aplikimi kanë studentët, të cilët kanë të përfunduar të paktën një semestër nga fusha më poshtë.

Fusha e mobilitetit është: Fakulteti i Ndërtimtarisë – Hidroteknikë dhe Inxhinieri e Ambientit.

Studentët që përfitojnë nga mobiliteti Erasmus+ janë të liruar nga pagesa për shkollim në universitetin pritës. Studentët duhet të vazhdojnë të paguajnë shkollimin e tyre dhe tarifat e regjistrimit në universitetin e tyre të origjinës, pra në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Dokumentet e nevojshme për aplikim për studentët për nivelin baçelor / master dhe PhD:
–    Vërtetim studenti (i lëshuar nga fakulteti juaj, që konfirmon nivelin tuaj dhe vitin e studimit gjatë këtij viti akademik);
–    Certifikata e notave/transkripta;
–    Certifikata e gjuhës angleze (niveli minimal i gjuhës angleze B2);
–    Një letër motivimi (në gjuhën angleze);
–    CV (në gjuhën angleze);
–    Kopja e pasaportës (faqja që përmban emrin tuaj, foton dhe të dhënat personale) ose kopja e letërnjoftimit.

Dokumentet e nevojshme për aplikim për stafin:
•    CV (në gjuhën angleze);
•    Kopja e pasaportës (faqja që përmban emrin tuaj, foton dhe të dhënat personale) ose kopja e letërnjoftimit;
•    Certifikata e njohjes së gjuhës së huaj (niveli minimal i gjuhës angleze C1).

Afati për aplikim është deri më 27 mars 2022.
Dokumentet me titull “Università di Trento” duhet të dërgohen të skanuara te: [email protected].

Sipas UP-së, vetëm dokumentet e kompletuara do të merren në konsideratë.

“Luteni që të gjitha dokumentet t’i dërgoni të bashkangjitura në një e-mail. Për më shumë informata rreth bursave mund të na kontaktoni në e-mail ose të na vizitoni në: Zyra për Marrëdhënie me Jashtë, Biblioteka Universitare, Rr. Eqrem Çabej, Prishtinë”, thuhet më tej në njoftim.