UP hap konkursin për studentë të rinj

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve të rinj për vitin e parë të studimeve themelore, për vitin akademik 2020/2021.

Siç ka bërë të ditur UP-ja në këtë vit akademik do të pranohen 6,638 studentë.

“Gjithsej 6,638 studentë do të kenë fatin të bëhen pjesë e UP-së për këtë vit akademik, në afatin e parë të konkursit.  UP-ja numëron dhjetëra programe studimore në 14 njësi akademike, për t’u bërë pjesë e të cilave mund të aplikoni deri në datën 30 shtator 2020”, është bërë e ditur përmes një njoftimi.

UP po ashtu ka bërë të ditur se konkursi do të jetë i hapur deri më 30 shtator dhe provimet pranuese do të mbahen nga 2 tetori deri më 6 tetor.

“Paraqitja e dokumenteve për regjistrim në programet e njësive akademike të UP-së fillon nga sot, më 21 shtator 2020, deri më 30 shtator 2020, ora 16:00. Për shkak të pandemisë COVID-19, provimet pranuese në UP do të mbahen në një periudhë më të gjatë, respektivisht nga data 2 tetor 2020 deri më 6 tetor 2020”, është bërë e ditur më tej.

Kriteret e konkursit mund t’i lexoni këtu.