Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

UP, formohet komisioni për përgatitjen e draft-rregullores së re për organizimin e brendshëm të Administratës 

Më 14 shkurt, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, bëri të ditur për KALLXO.com se nuk kanë ndonjë shifër se sa është numri i pozitave vakante në Administratën e UP-së dhe në 14 njësitë akademike/fakultete.

Në po këtë ditë, Rektori i UP-së, Naser Sahiti ka emëruar një komision për hartimin e rregullores për organizimin e brendshëm, sistematizimin, klasifikimin e pozitave dhe përshkrimin e detyrave të punës në kuadër të zyrave të shërbimeve administrative në UP.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, rektori në këtë komision ka emëruar: Bedri Tahiri, anëtar i Këshillit Drejtues, Florim Isufi, anëtar i Këshilli Drejtues, Besfort Krasniqi, u.d. i Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së, Esat Kelmend, drejtor i Zyrës Ligjore, Fidan Hamiti menaxher i personelit, Ilir Hajdaraj, drejtor i zyrës për buxhet dhe financa si dhe Qazim Tahiri, zyra për teknologji të informacionit në AQ.

Në vendimin është theksuar se komisioni brenda një afati sa më të shkurtër dhe të arsyeshëm kohor, do ta përgatis një draft-propozim të kësaj rregullore.

Ky komision po ashtu do të kompensohet konform rregullore me nr.prot.917, të datës 27.04.2015 miratuar nga Këshilli Drejtues i UP-së.

Si arsyetim, rektori ka përmendur rrethanat e reja të krijuara me digjitalizimin e shërbimeve, ndryshimet në natyrën e punëve dhe rritjen e përgjegjësive në disa sektorë të administratës është imponuar nevoja e rishikimit të akteve të brendshme.

UP-ja aktualisht ka një rregullore për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës që është në fuqi nga viti 2014.