UP do t'i marrë tri masa ndaj rastit të konfliktit të interesit në Fakultetin Filozofik
27.11.2024 - 15:01
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu ia ka rekomanduar tri masa Senatit të UP-së që t’i votojë në lidhje me një konkurs të datës 31.05.2023 të Fakultetit Filozofik, në të cilin u raportua për konflikt interesi të avancimit të tre profesorëve e riemërimit të një asistenteje.
Tre masat e rekomanduara të rektorit Hajrullahu u votuan njëzëri nga Senati i UP-së, në mbledhjen e tyre të datës 27.11.2024.
Pas rezultateve të konkursit të datës 31.05.2023, tre kandidatët: Dorajet Imeri, Mentor Hasani, Avdyl Gashi u avancuan në profesor asistentë, kurse kandidatja Natyra Agani u riemërua në asistente në Fakultetin Filozofik të UP-së.
Më 16.08.2024, KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin se këta tre kandidatë – Dorajet Imeri, Mentor Hasani e Avdyl Gashi mund ta shihnin anulimin e titullit profesor-asistent në Fakultetin Filozofik, ndërsa Natyra Agani atë të asistentes.
Sipas hulumtimit, në procedurat e rekrutimit të konkursit të majit të vitit 2023, anëtarët e Këshillit të Fakultetit Filozofik morën pjesë në vendimmarrje të konkursit ku vetë ishin zgjedhur në pozita akademike.
Se ekziston konflikti i interesit në konkursin e datës 31.05.2023 e kishte konstatuar përmes një opinioni Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) të marrë më 08.08.2024.
Ky institucion kishte kërkuar rishqyrtimin e vendimit për avancimin dhe riemërimin e Dorajt Imerit, Mentor Hasanit, Avdyl Gashit dhe Natyra Aganit.
Ish-dekanin e Fakultetit Filozofik në kohën e konkursit të datës 31.05.2023, Dashamir Bërxullin, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu e ka quajtur “kallauz të kësaj mesele”.
Masat e rekomanduara nga rektori Hajrullahu të cilat i votoi Senati i UP-së për këtë rast janë:
1. Shfuqizimi i vendimeve ekzistuese
2. Kthimi i rasteve në rishqyrtim. Proceset për secilin kandidatë duhet të rifillojnë nga faza e përcaktuar nga APK, duke eliminuar ndikimet e individëve në konflikt interesi.
3. Raportimi dhe monitorimi i procesit – Fakulteti Filozofik të raportoj për procesin e rifilluar brenda afatit të caktuar dhe UP ta informoj APK-në për masat e ndërmarra dhe progresin e procesit.
Rektori Hajrullahu e ka quajtur shfuqizim apo korrigjim procesin e rifilluar për konkursin e datës 31.05.2023 të Fakultetit Filozofik të UP-së.
Shënim: Artikulli është edituar më 27.11.2024, ora 15:27